Mbi 1500 tituj të rinj në panairin e librit "Prishtina 2019"

Mbi 1500 tituj të rinj në panairin e librit "Prishtina 2019"

Me një ceremoni të veçantë është hapur panairi i 21-të i librit në Prishtinë. Panairi do të qëndrojë i hapur deri më 9 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin përfaqësues të institucioneve, fytyra publike e shkrimtarë të shumtë.

Në mesin e tyre ishte edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se krejt ky organizim është meritë e Shoqatës së Botuesve.

Sipas tij, është jashtëzakonisht e mirëseardhur që edhe literatura angleze po gjen vend në mesin e librave që ofron panairi i librit.

"Ju ftoj të gjithëve që të vizitoni dhe të blini libra e të lexoni, sepse ky është themeli për një shoqëri të shëndoshë”, tha Ahmeti.

Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi tha se është e jashtëzakonshme se si këtë vit Kosova feston 20 vjetorin e çlirimit të saj, derisa panairi shënon 21-vjetorin e tij.

Pas Tiranës, ai tha se panairi i dytë më i rëndësishëm është ky i Prishtinës.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Edon Zeneli, tha se mbajtja gjallë e panairit të librit në një vend të vogël si Kosova, përbën kryelajm.

Me këtë rast, ai ftoi që të veprojnë të gjitha institucionet e vendit që të rrisin vëmendjen e tyre për bibliotekat.

"Gjatë panairit do të kemi aktivitete të shumta, janë të pranishëm më shumë se 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, me mbi 1500 tituj të rinj. Për neve, përkundër sfidave, kjo përbën ngjarje jashtëzakonisht të madhe", tha ai.

Shkrimtari, Fatos Kongoli, u shpreh i kënaqur që në panairin e librit do të takojë shumë lexues nga Kosova

"Unë i detyrohem shumë Kosovës sepse jam ndjerë i mbështetur nga lexuesit dhe shkrimtarët e Kosovës. Kështu që shpresoj që edhe kjo herë do të më jap kënaqësi shumë të madhe", tha ai.

Ndërsa shkrimtari Juan Asensio, tha se ndjehet i nderuar që është ftuar të marrë pjesë në hapjen e panairit të librit në Prishtinë.

"Në pëlqeu shumë fakti që përmes përkthimeve keni një jetë kulturore shumë të pasur. I kam parë emrat e shkrimtarëve më të mëdhenj këtu", u shpreh ai.