Dështon gjykimi për korrupsion

Dështon gjykimi për korrupsion

Ka dështuar të mbahet seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku ish-gjeodeti i Komunës së Prishtinës, Haxhi Haskaj, akuzohet për përvetësim në detyrë.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e të akuzuarit Haskaj, dhe e avokatit të tij, Visar Vehapi.

Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, ka thënë se për të akuzuarin nuk ka provë që është ftuar në mënyrë të rregullt.

Mirëpo, sipas saj, mbrojtësi i tij, e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt më 16 prill, por mungesën nuk e ka arsyetuar, as për vete, e as për të akuzuarin.

Gjithashtu, ajo ka bërë të ditur se gjykata bashkë me ftesën për gjykim kishte dorëzuar edhe shkresat e pranuara nga Komuna e Prishtinës.

Në gjykatore prezent ishin prokurorja Merrushe Llugiqi, përfaqësuesit e palës së dëmtuar, Ndue Kurti dhe Eduard Gashi si dhe dëshmitari Sabedin Haxhiu.

Seanca e radhës është caktuar më 5 korrik 2019, nga ora 13:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës, së ngritur më 16 dhjetor të vitit 2014, Haxhi Haskaj akuzohet se kishte marrë autorizim nga Millovan Mirosllav Popoviq, më 16 korrik 1998, për të kryer shitblerjen e një ngastre kadastrale, me sipërfaqe prej më shumë se një hektar tokë, në lagjen “Kalabria”, në Prishtinë.

Mirëpo, këtë autorizim Haskaj, sipas prokurorisë, e ka përdorur edhe pas vdekjes së Mirosllav Popoviq, në mënyrë që sa ishte duke punuar në Drejtorinë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, si gjeodet ka bërë ndarjen fizike të ngastrave për blerësit e tyre.

Haskaj, sipas aktakuzës, pretendohet se ngastrën tokësore e kishte ndarë në 18 parcela me pronar të ndryshëm, sipas fletave poseduese dhe nga këto 18 parcela, 8 prej tyre i kishte shitur duke përdorur autorizimin e të ndjerit, Popoviq.

Me anë të shitjes së këtyre parcelave, sipas aktakuzës, Haskaj kishte përfituar mbi 315,000 (DM) marka gjermane, të atëhershme, të cilat para nuk ua kishte dhënë familjarëve të të ndjerit Mirosllav, duke i shkaktuar dëmin e lartcekur. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi