Gjykata obligon Prokurorinë që të akuzuarit t’i pajisë me shkresa të lëndës

Gjykata obligon Prokurorinë që të akuzuarit t’i pajisë me shkresa të lëndës

Rreth tre vjet nga ngritja e aktakuzës ndaj tyre, të akuzuarit për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme, Sylë Gërvalla, Brahim Gërvalla, Adem Gërvalla, Shpëtim Gërvalla dhe Fatmir Gërvalla, kanë deklaruar se ende nuk janë pajisur me shkresat e lëndës, nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Një gjë të tillë, ata e kanë bërë të ditur në seancën e së mërkurës që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë.

Por, pavarësisht kësaj, kjo gjykatë në këtë rast, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar, më 3 korrik 2017, dhe shqyrtimin e dytë, më 28 gusht 2018.

Përkundër se nuk ishin pajisur me shkresat e lëndës, të akuzuarit e kishin kundërshtuar aktakuzën e tyre, por që kundërshtimet më pas ishin refuzuar nga gjykata e shkallës së parë, mirëpo Gjykata e Apelit, kishte anuluar këtë vendim, për shkak se kishte vlerësuar se organet e ndjekjes kanë dështuar të zbatojnë detyrimin e tyre që të pandehurit të pajisen me shkresat e lëndës.

Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se mos sigurimi me shkresat e lëndës nga Prokuroria e Pejës, kishte shkelur të drejtat ligjore të të pandehurve në procedurë.

“Kolegji Penal i Gjykatës se Apelit vlerëson se nuk është e mjaftueshme konstatimi i prokurorisë në seancën e shqyrtimit të dytë, kur ka deklaruar se është e gatshme që në çdo fazë të procedurës do t’i pajisë të pandehurit me shkresa të lëndës, sepse të pandehurit dhe mbrojtësit e tij materialet në rastin konkret i jepen me ngritjen e aktakuzës, në mënyrë që të përgatisin mbrojtjen dhe kundërshtimet t’i paraqes në fazën e duhur pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit fillestar, një gjë e tillë duke u bazuar në shkresat e lëndës nuk është bërë edhe pse është kërkuar dhe si rezultat i kësaj të pandehurve u janë shkelur të drejtat e parapara me këtë kod dhe njëherit është shkelur parimi kontradiktor dhe i barazisë së palëve”, thuhet në vendimin e Apelit.

Përkundër këtij udhëzimi të Apelit, sipas të akuzuarve, Prokuroria Themelore në Pejë, prej 12 nëntorit 2018, kur edhe është vendosur nga Gjykata e Apelit, ende nuk i kishte pajisur ata me shkresat e lëndës.

Në seancën e së mërkurës, të akuzuarit kanë deklaruar se kanë shkuar në Prokurori për t’i marrë shkresat e lëndës, siç sipas tyre, kishte premtuar prokurorja Sadije Muriqi, mirëpo ata kanë thënë se sërish nuk kishin arritur që t’i siguronin shkresat e lëndës.

Në këtë seancë, prokurorja Muriqi, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se të pandehurit kishin qenë në Prokurori për t’i kërkuar shkresat e lëndës, meqenëse sipas saj, nuk e ka njoftuar zyrtari kompetent.

Pas kësaj, ka reaguar gjykatësja e çështjes Florie Zatriqi, e cila i ka thënë se prokurorës që t’i sigurojë shkresat e lëndës në këtë seancë dhe jo pas seancës.

Sipas gjykatëses Zatriqi, prokuroria ka pasur mundësi që të akuzuarve t’u dërgohen shkresat e lëndës edhe përmes postës.

Për të mos u përballur më me zvarritje të procesit, gjykatësja Zatriqi, ka kërkuar që detyrimet të plotësohen në këtë seancë, me ç’rast prokurorja Muriqi, përmes telefonit, ka kërkuar nga zyrtari kompetent që t’ia sigurojë shkresat e lëndës.

Pasi shkresat e lëndës janë siguruar, të akuzuarit kanë kërkuar që seanca e së mërkurës të shtyhet për një ditë tjetër, në mënyrë që siç kanë thënë, të kenë kohë për t’i bërë kundërshtimet ndaj aktakuzës.

Shtyrjen e kësaj seance, nuk e ka kundërshtuar prokurorja Muriqi.

Seanca e radhës është caktuar më 19 qershor 2019, nga ora 13:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 25 tetor 2016, ndaj të pandehurve Sylë Gërvalla, Brahim Gërvalla, Adem Gërvalla, Shpëtim Gërvalla dhe Fatmir Gërvalla, të cilët akuzohen se që nga viti 2013, e tutje si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale të uzurpimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar pronën e paluajtshme, të të dëmtuarit Islam Gërvalla, e cila gjendet në vendin e quajtur “Përroi i Gërvallës”, në fshatin Kryshec të Pejës, me sipërfaqe prej 2.5 hektar, e në të cilën kanë mbjellë grurë.

Në këtë rast, fillimisht ka qenë i akuzuar vetëm Fatmir Gërvalla, mirëpo më pas është bërë bashkimi i procedurës penale, pasi të tjerët akuzohen për të njëjtën pronë dhe të njëjtën vepër penale. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi