U ble për 6 dollarë, guri i shahut tani vlen 1 milion

U ble për 6 dollarë, guri i shahut tani vlen 1 milion

Kur një tregtar artefaktesh në Skoci bleu një gur shahu të fildishtë për 6 dollarë në vitin 1964, me shumë mundësi nuk e kishte menduar se kishte shtënë në dorë një prej gurëve të shahut më të famshëm në botë.

I ruajtur në një sirtar për 55 vjet, guri, pjesë e një seti shahut të shekullit XII, të quajtur “Lewis Warder”,  mund të shitet tani në ankand për 1,3 milionë dollarë. Të paktën kështu e vlerësoi shtëpia e ankandeve Sotheby, ku familja e pronarit të ndjerë të gurit e dërgoi për vlerësim.

Gurët e shahut u gjetën në ishullin “Lewis” në Skoci në vitin 1831, por mungonin pesë gurë, një kalë dhe katër “torra”. Gurët besohet se janë gdhendur në shekullin XII në Trondheim, Norvegji. Nga 93 pjesët e tjera të gjetura, 82 janë në Muzeun Britanik të Londrës, ndërsa 11 në Muzeun Kombëtar të Skocisë në Edinburg.