VIDEO- Paçarizi: Shqipëria duhet të hapet më shumë për letërsinë e Kosovës

VIDEO- Paçarizi: Shqipëria duhet të hapet më shumë për letërsinë e Kosovës

Sot në orën 10.00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës do të përurohet romani “Shtatë udhë” i shkrimtarit Rrahman Paçarizi.

Temat, motivet, ngjarjet në këtë roman janë, kryesisht, përjetime të autorit dhe të shokëve të tij. Ka tema dhe motive, persona dhe personazhe që janë marrë nga historia dhe nga artet dhe janë bërë prototipa në të shtatë rrëfimet e tij, në të cilët, për shkak të pronorit “im”, autori duket më i pranishëm në secilin prej tyre sesa familjarët dhe miqtë e tij, me të cilët diskuton për temat që i trajton e që janë, të rënda, të ndjeshme.

Zoti im, Helena ime, Çmendja ime, Pushteti im, Lufta ime, Liria ime, Vdekja ime janë rrëfimet e romanit, në të cilët ka dukuri abstrakte dhe konkrete; kujtime dhe përjetime tepër të rralla në vendin dhe shoqërinë tonë.

Janë rrëfime dhe tregime që përbëjnë një roman tematik familjar, shoqëror dhe kombëtar. Narratori në to rrëfen për moshën e fëmijërisë, të adoleshencës, të pjekurisë; për mësimet në shkollën fillore, për mësimet në shkollën e mesme, për mësimet në fakultet, për raportet shoqërore, për punën dhe punësimet.

“Shtatë udhë” është një roman mbushur me psikologji, komedi, tragjedi. Me paqe dhe luftë.

Autori i librit “Shtatë udhë’, Rrahman Paçarizi, tha se letërsia e prodhuar në Shqipëri është më shumë prezentë në Kosovë, kurse nga Kosova më pak në Shqipëri.

“Shqipëria sikur të bëhej pak më e hapur për letërsinë e Kosovës do të ishte më mirë”, tha Paçarizi sot në emisionin ‘AKTUAL’, në RTK3.

Sipas tij në Kosovë është një zhvillim të letërsisë së post modernes. “Në Kosovë ka pasur eksperiment, në Shqipëri e kanë hijen e Kadaresë dhe ajo i mundon”, tha ai.