Maloku: PTK ka filluar të degradojë si rezultat i konkurrencës së Z-Mobile

Maloku: PTK ka filluar të degradojë si rezultat i konkurrencës së Z-Mobile

Në mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, ka vazhduar të diskutohet për kontratën e dëmshme me Z -Mobile.

Para deputetëve, anëtarë të Komisionit dëshminë e tij e ka dhënë Naim Maloku, në cilësinë e ekspertit ndërsa pas tij pritet të raportojnë edhe  Agron Dida dhe Ismet Hamiti. 

Dëshmitari Maloku tha se  PTK ka filluar të degradojë si rezultat i konkurrencës së Z Mobile.

 "Telefonia mobile që nga fillimi ka pasur defekt të madh. Qendra ka qenë në Monako dhe për këtë arsye Kosova ka humbur shumë për shkak të determinimit të trafikut", tha ai. 

Kryetari i Komisionit, Visar Ymeri tha se është e rëndësishme të sqarohet se çfarë e ka shkaktuar gjendjen aktuale në Telekom. 

"A do thoshit që mënyra se si është e ndërtuar Z-Mobile i plotëson kushtet me atë që konsiderohet si operator virtual", tha ai. 

Deputetja Albulena Haxhiu kërkoi  të dijë nga dëshmitari Maloku  se kur mund të ideohet një operator virtual.

 "Sipas asaj që thatë dhe e dimë, ju keni punuar një kohë të gjatë në Telekom- Sllovenia. A mund të na tregoni se cilat kanë qenë modelet që janë përdorur për shpëtimin e Telekom -Sllovenia, në mënyrë që t'i përdorim për shpëtimin e PTK-së", u shpreh ajo.  

Ndërsa deputeti Milaim Zeka pyeti ekspertin nëse i duket ose jo skandaloze dhënia e mjeteve financiare nga PTK për Z -Mobile, konkurrentes kryesore. 

Ngjashëm pyeti edhe deputeti Bekim Haxhiu, i cili tha se nuk e di nëse kjo mund të metë ndodhur në ndonjë vend tjetër. 

Dëshmitari Maloku u shpreh se në bazë të informacioneve që janë publike, Z -Mobile e shfrytëzon infrastrukturën e PTK-së.

 "Çështja e kontratës Z-Mobile njëherë është gjykuar, dhe nuk mund te rigjykohet... Në një rast të tillë nëse kish ardhë puna me e nënshkru një kontratë të tillë si Z-Mobile atëherë unë e kisha shky diplomën që e kom. PTK ka mundur ta hap një kompani dhe të mbërrijë edhe pjesën veriore dhe të hollat kishin kaluar nga një xhep në tjetrin, por paratë kishin mbetur brenda PTK-së", tha ai./