Përurohet shkolla e rinovuar për fëmijë me dëgjim të dobësuar

Përurohet shkolla e rinovuar për fëmijë me dëgjim të dobësuar

Prej sot, nxënësit me dëgjim të dobësuar në Prizren do të kenë kushte më të mira, falë investimeve të drejtoreshës së “Spar Kosova”, Jeta Rukiqi.

Me rastin e përurimit të shkollës së rinovuar, Rukiqi u shpreh e lumtur me investimin dhe kushtet e krijuara aty.

Ajo premtoi të investojë edhe në aparate dëgjimi për rreth 30 nxënës, të cilat shtoi se fëmijët do t’i marrin deri në fund të këtij viti.

“Përderisa po e mendoja se si do të mund të gjeja fjalët e duhura në hyrje të fjalës sime sot, me erdhën në mendje fjalët e humanistes sonë të shenjtë, Nenës Terezë, e cila thoshte: ‘Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, por vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe’. Nisur nga dëshira për ta parë mirë secilin nga ju që e vijoni këtë shkollë, unë kam dhënë edhe një ndihmë tjetër solide për t’iu pajisur me aparate të dëgjimit që do t’iu ndahen deri në fund të këtij viti.”, ka thënë ajo.

Ajo ftoi edhe të tjerët, që të ndjekin shembullin e saj, pasi që tha se fëmijët me dëgjim të dobësuar kanë nevojë për kushte më të mira.

“Unë e kam parë dhe e di mirë se kjo shkollë ka nevojë për shumë më shumë se sa kam dhënë unë nga kursimet e mia, ama e di edhe se shumë prej nesh që punojmë, dhe të tjerë që nuk janë këtu, e kanë mundësinë për të ndarë nga pak prej pasurisë së tyre duke bërë mjaftueshëm për këtë vend”, u shpreh ajo. 

Kjo shkollë, është e vetmja në Kosovë në të cilën vijojnë shkollimin nxënës me dëgjim dhe të folur me pengesa.


MË SHUME NGA Nacionale