Me ndërtimin e Qendrës së Banimit Social në Malishevë përfitojnë 44 familje

Me ndërtimin e Qendrës së Banimit Social në Malishevë përfitojnë 44 familje

Deri në fund të këtij viti do të përfundojë ndërtimi i Qendrës së Banimit Social në Komunën e Malishevës, ku do të përfitojnë 44 familje që janë të pastreha. Ndërtimi i kësaj qendre është bërë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komuna e Malishevës.

Për të parë punimet nga afër sot Qendrën e ka vizituar ministri i Punës Skënder Reçica, i cili deklaroi se nga ky projekt do të përfitojnë familje që problem kryesor e kanë pasur banimin.

"Është ky një projekt i përbashkët i MPMS me Komunën e Malishevës, nga i cili projekt do të përfitojnë 44 familje në nevojë, familje të cilat konsiderohen si të pastreha, familje të cilat janë nën kujdesin e asistencës sociale. Ky është një lajm i mirë për përfituesit e këtij projekti, për qytetarët e Malishevës, sepse po bëhet fjalë për akomodimin e 44 familjeve të cilat problem kryesor e kanë strehimin. Ne po ndërtojmë këtë qendër të banimit social këtu në Malishevë dhe sikur kjo qendër dhe qendra te tjera të cilat janë ndërtuar gjithandej komunave të Kosovës konfirmojnë më së miri përkushtimin dhe angazhimin tonë që t'ia shtrijmë dorën e shtetit familjeve me asistencë sociale", tha ai.

Ai tha se nuk do të ndalen së mbështeturi të gjitha familjet që kanë nevojë. Ndërtimi i objektit të banimit Social, Reçica tha se pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.

 "Objekti në të cilin ne tani jemi në inspektim sipas planit dinamik duhet të përfundojë deri në fund të vitit. Nga ajo që u njoftova nga inxhinieri që i përcjell punimet në këtë objekt punimet janë duke shkuar sipas planit dinamik dhe mendohet që në afatin e përcaktuar sipas kontratës edhe ky objekt do të përfundojë dhe qysh në vitin e ardhshëm do të jetë i gatshëm t'i pranojë banorët e parë", u shpreh ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj, tha se kjo qendër e Banimit Social do të jetë një strehë për të gjithë ato familje që janë të pastreha.

 "Një falënderim të veçantë për këtë punë të madhe që po e bëni për Malishevën, ku do të gjejnë strehë 44 familje që janë në kushte të rënda banimi. Po besoj që kjo do të jetë një zgjidhje e përhershme për ata qytetarë. Është një punë madhore për Malishevën dhe strehimi i tyre është edhe obligim i joni, si qeveri komunale dhe si nivel qendror. Ministria juaj dhe ju ministër keni bërë punë të madhe për Malishevën, i keni nejt gati Malishevës dhe do të bëjmë edhe projekte të tjera të përbashkëta në bashkëpunim me juve", u shpreh ai. Gjatë ditës ministri i Punës Skënder Reçica së bashku me deputetin e Nismës Haxhi Shala kanë zhvilluar një takim pune me kryetarin e Komunës së Malishevës Ragip Begaj.