Pranon fajësinë, dënohet me kusht i akuzuari për sulm ndaj zyrtarit policor

Pranon fajësinë, dënohet me kusht i akuzuari për sulm ndaj zyrtarit policor

Katër muaj burgim me kusht është dënimi të cilin e ka shqiptuar Gjykata Themelore në Gjakovë kundër të akuzuarit për sulm ndaj zyrtarit policor, Faton Quni.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Ilirjana Hoti, dënimi me burgim ndaj të akuzuarit Quni nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Deshirë Jusaj, i akuzuari Quni është deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ai shtoi se është penduar dhe se nuk do të përsëris më veprime të tilla në të ardhmen.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurorja Jusaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 dhjetor 2018, Faton Quni po akuzohet se më 3 nëntor 2018, rreth orës 10:00, në lagjen Brekoc të Komunës së Gjakovës, seriozisht e kanos zyrtarin policor Flamur Frrokaj.

Siç përshkruhet në aktakuzë, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që pasi fillimisht i akuzuari ishte ndaluar në fshatin Korenicë të Komunës së Gjakovës, për shkak të tejkalimit të shpejtësisë në zonën 40 km/h, dhe pasi të njëjtit i shqiptohet gjoba kundërvajtëse, i revoltuar ofendon policët duke iu thënë “Jeni njerëz të pashkollë dhe se nuk dini të kryeni detyrën e juaj dhe do të shihemi”, dhe pasi vrullshëm ka lëvizur nga aty, ndalohet në lagjen Brekoc nga Policia e njëjtë, ku refuzon t’i prezanton dokumentet dhe kanos policin Flamur Frrokaj me fjalët se “Do të shihemi privatisht”, për çka, arrestohet dhe dërgohet në Stacion Policor.

Për këtë, sipas aktakuzës, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” nga neni 410 parag.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi