Dënim me kusht ndaj dy të akuzuarve për armëmbajtje pa leje

Dënim me kusht ndaj dy të akuzuarve për armëmbajtje pa leje

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ka shpallur dënim të kushtëzuar ndaj të akuzuarve për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve, Meriton Selmani dhe Zeqir Selmani.

Të akuzuarit janë dënuar, secili me nga gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë vepër penale brenda një viti.

Po ashtu, të akuzuarit janë ngarkuar, secili veç e veç, me paushallin gjyqësor në shumë prej 30, si dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 30 euro.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur në seancën fillestare të së enjtes, pasi që paraprakisht të akuzuarit kanë pranuar fajësinë lidhur me veprën të cilën ngarkohen raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Merita Shala- Muhaxhi, e më pas është aprovuar nga gjykatësi i rastit, Shefqet Baleci.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 25 prill 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Meriton  Selmani dhe Izet Selmani, me arsyetimin se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 parag. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Meriton Selmani, me 17 janar 2015, në malet e Çyqavicës, në fshatin Gradicë, Komuna e Drenasit, e ka mbajtur armën në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, në atë mënyrë që derisa zyrtarët policorë ishin në sigurim të antenës në këtë vend, kanë hasur në të pandehurin Meriton Selmani, i cili në krah e kishte armën e tipit pushkë gjuetie, e cila më pas i ishte konfiskuar nga ana e policisë.

Kurse, i pandehuri Zeqir Selmani, duke filluar nga data 15 korrik 2005, deri me datën 17 janar 2015, në shtëpinë e tij në fshatin Gradicë, Komuna e Drenasit, e ka mbajtur armën në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, në atë mënyrë që pasi policia kishte ndalur djalin e tij me armë, i pandehuri ka ardhur në stacionin policor dhe ka sjellë lejen e skaduar të kësaj arme dhe ka pranuar që armën e ka mbajtur në shtëpinë e tij. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi