Ish-drejtori i Pallatit të Rinisë përfundimisht lirohet nga akuza

Ish-drejtori i Pallatit të Rinisë përfundimisht lirohet nga akuza

Tre muaj pasi që gjykata e shkallës së parë e kishte liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ish-drejtorin e Pallatit të Rinisë, Bajram Uka, aktgjykim të njëjtë ka marr edhe Gjykata e Apelit.

Kështu, shkalla e dytë ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila kishte kërkuar që kjo çështje të anulohet dhe të kthehet në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 shkurt 2019, e kishte liruar nga akuzat Ukën, me arsyetimin se nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej nga prokuroria.

Por, e pakënaqur me lirimin e ish-drejtorit të Pallatit të Rinisë nga akuzat, prokuroria është ankuar në Apel ku ka theksuar se aktgjykimi i Themelores është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në ankesë pretendonte se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të cilat qëndrojnë në faktin se i njëjti nuk përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare gjegjësisht ato që janë dhënë, janë të pa qarta dhe në masë të konsiderueshme në kundërthënie, sidomos përkitazi me faktet vendimtare.

Prokuroria Themelore po ashtu konteston edhe mënyrën se si janë vlerësuar provat e proceduara në shqyrtimin gjyqësor nga ana e gjykatës së shkallës së parë, duke pretenduar se edhe konkludimet e asaj gjykate të nxjerra në bazë të këtyre provave janë të gabuara.

Po ashtu, në ankesën e saj, prokuroria pretendon se provat në fjalë janë vlerësuar në mënyrë të njëanshme dhe të gabuara dhe se si pasoj e konkludimeve të aprovuara ka rezultuar me shkelje të Ligjit Penal në favor të akuzuarit, për çka gjykata e shkallës së parë, gabimisht ka vepruar kur vendimin e ka marrë, duke mos marrë parasysh vetë deklaratën e të akuzuarit Uka, i cili ka pranuar se ka qenë në dijeni për rrjedhën e procedurës së kontratës.

Por, të gjitha këto pretendime të prokurorisë i ka hudhur poshtë si të pabazuara Gjykata e Apelit.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, nuk qëndrojnë pretendimet ankimore se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 nën par.12 të KPPK-së, ngase aktgjykimi i ankimuar duke përfshirë edhe arsyetimin, është i qartë dhe konkret, po ashtu përmban arsyera të mjaftueshme për të gjitha faktet relevante në këtë çështje penalo-juridike dhe gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejt dhe të plotë ka vërtetuar të gjitha faktet vendimtare”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Sipas vlerësimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë vlerësimin e saj e ka bazuar së pari në mbrojtjen e të akuzuarit, i cili nuk i mohon faktet dhe rrethanat se ka qenë ushtrues detyre i drejtorit të Pallatit të Rinisë dhe se përkitazi me procedurat që janë zhvilluar për dhënien me qira të objekteve të Pallatit të Rinisë, për Amerikan School of Kosova (ASK) në Prishtinë gjitha procedurat janë zhvilluar nga AKP-ja dhe atë para se i akuzuari ta merrte detyrën e ushtruesit të detyrës të drejtorit të Pallatit të Rinisë.

Gjithashtu, në aktgjykimin e Apelit theksohet se shkalla e parë gjatë dhënies së arsyeve për faktet vendimtare në këtë çështje penale-juridike, ka marrë parasysh edhe ekspertizën e gjeodezisë me të cilën është vërtetuar se objekti i amfiteatrit nuk është i përfshirë në kuadër të objekteve të Pallatit të Rinisë që janë paraparë sipas marrëveshjes për qira, por, as kontratave tjera të lidhura në mes të Pallatit të Rinisë dhe ASK-së, e që janë nënshkruar nga i akuzuari dhe nga ASK.

Sa i përket pretendimeve tjera të prokurorisë se provat nuk janë vlerësuar drejtë, në aktgjykimin e Apelit thuhet se këto pretendime nuk qëndrojnë, ngase gjykata e shkallës së parë, provat e proceduara i ka vlerësuar me përputhje me dispozitat ligjore, kështu që drejt i ka vlerësuar dhe analizuar faktet vendimtare, përkitazi me këtë në këtë çështje penalo–juridike në mënyrë të pa dyshimtë ka vërtetuar gjendjen faktike në bazë të së cilës edhe e ka liruar të akuzuarin nga akuza.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, duke pasur parasysh rrethanat e cekura më lartë, gjegjësisht faktet jo kontestuese, që u cekën më lartë, pastaj se me asnjë fakt apo rrethanë nuk vërtetohet se i akuzuari me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm apo të shkaktimit të dëmit të ketë dhënë me qira edhe Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, atëherë konkludimi i gjykatës së shkallës së parë, se në veprimet e të akuzuarit Bajram Uka, nuk përmbushen elementet e veprës penale, keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 të KPRK-së, është i drejtë dhe i logjikshëm që do të thotë se drejtë është aplikuar edhe Ligji Penal, dhe nuk ka shkelje të Ligjit Penal, në favor të akuzuarit, sikur që pretendohet në ankesë.”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur me 30 maj 2017, Bajram Uka akuzohet se në vazhdimësi nga viti 2006 e deri në vitin 2013, si person zyrtar, ushtrues detyre i drejtorit të Pallatit të Rinisë, kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke keqpërdorur pasurinë e Qeverisë së Kosovës, e cila pasuri ishte nën përkujdesjen e tij.

Prokuroria pretendon se këtë e kishte bërë me qëllim që të përfitojë institucioni shkollor “American School of Kosova”.

Sipas prokurorisë, i pandehuri e kishe lejuar shkollën amerikane, përkatësisht pronarin e saj ta shfrytëzojë amfiteatrin në sipërfaqe prej 483 m2, sipërfaqe e cila nuk ka qenë në ofertë publike që të lëshohet me qira. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi