Bjeshkët e Namuna, gjenezë e turizmit në Alpet Shqiptare

Bjeshkët e Namuna, gjenezë e turizmit në Alpet Shqiptare

Programi i ri për zhvillimin e turizmit në një nga zonat më të bukura të Alpeve shqiptare, Bjeshkët e Namuna, do të sjellë rritje të numrit të turistëve, si dhe mirëqenien e komuniteteve lokale që jetojnë në zonat malore.

Kështu theksoi sot ministri shqiptar i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, në aktivitetin ku u prezantua ku ky program me bazë trashëgiminë e pasur kulturore.

“Ne kemi filluar bisedimet me qeverinë e Kosovës dhe të Malit të Zi për të pasur mundësinë që ta kemi këtë zonë si park kombëtar të përbashkët. Ky park mund të jetë gjenezë e një turizmi të vërtetë për zonën e Alpeve mund të jetë një industri e re që nuk njeh kufi, që na bashkon interesat e tre institucioneve tona politikbërëse të turizmit në një pikë të vetme si ta promovojmë e ta bëjmë të aksesueshme për sa më shumë turistë”, theksoi Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se kjo është tashmë një dëshirë e shprehur nga institucionet politikbërëse.

“Ne së bashku me qeverinë e Kosovës kemi përcaktuar shpalljen e parkut natyror në të dy anët e bjeshkëve si park i mbrojtur natyror për të pasur një zhvillim më të kontrolluar brenda asaj zone”, tha ai.

“Me qeveritë e Malit të Zi kemi të njëjtat dakordësi sa i përket paraqitjes së një produkti të përbashkët, por ajo që na duhet është që ne të vendosim rregulla më të qenësishme për të mos prishur bukurinë dhe stabilitetin turistik të asaj zone”, u shpreh Klosi.

Ai tha se “i kemi të gjitha mundësitë që numri i turistëve që vizitojnë atë zonë të shtohet me shumicë, ndërtimi i aeroportit të Kukësit do ta afrojë zonën edhe me më shumë turistë. Nga të tre anët ka mundësi lidhjeje me to, kemi të gjitha mundësitë të kemi një produkt që të ofrojë shumë biznese”./atsh