Në Klinë nis Festivali gjithëkombëtar “I këndojmë lirisë”

Në Klinë nis Festivali gjithëkombëtar “I këndojmë lirisë”

Në Çabiq të Klinës, në vendlindjen e komandantit të shquar të UÇK-së Mujë Krasniqit, para Kullës muze, solemnisht nisi edicioni i 19-të i Festivalit folklorik mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë” për të vazhduar për tri net me radhë, më 6, 7 e 8 qershor në sheshin “Mujë Krasniqi” në Klinë.

Para se të performonin  tri ansamblet, “Jehona e Dukagjini”, ansambli “, nga Klina, ansambli ” Rugova”, nga Peja, dhe “ Ardhmëria”, nga Gjakova, u bë inaugurimi i oborrit të kullës duke i dhënë një pamje krejtësisht të re ambientit përreth kullës, duke e shndërruar këtë në një amfiteatër.

Kryetari i komunës, Zenun Elezaj, tha se në 20-vjetorin e çlirimit të Klinës dhe Kosovës, festivali po mbushë 19 vjet të organizimit dhe ekzistencës, duke e bërë Klinën sofër bujare të këngës, valles e folklorit burimor tradicional shqiptar.

“Dy dekada pas, jemi këtu, bashkë me ju, për të kujtuar Mujë Krasniqin- Kapuçin, dëshmorët e lirisë, për të festuar me këngë e valle ditëlindjen e Komandantit të Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës, rapsodit, që i këndoi pushka e zemra për lirinë e vendit, Mujë Krasniqit, e bashkë me të edhe lirinë”, tha Elezaj.

Në natën e parë të festivalit do të paraqiten 14 grupe, rapsodësh, valltarësh dhe instrumentistë nga të gjitha trojet shqiptare.

Ndryshe, festivali ka karakter garues, ndërsa çmimi kryesor, është “Mujë Krasniqi”.