Pas rigjykimit, ish-shefi i Inspektoratit në Kamenicë lirohet nga akuza

Pas rigjykimit, ish-shefi i Inspektoratit në Kamenicë lirohet nga akuza

Gjykata Themelore në Gjilan, pas kthimit të rastit në rigjykim, e ka liruar nga akuza ish-shefin e Inspektoratit në Kamenicë, Refik Latifaj, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohej se gjatë periudhës kohore 2013-2014, në cilësi të inspektorit komunal të resurseve natyrore, e pastaj nga data 25 prill 2014, në cilësinë e përgjegjësit të Inspektoratit Komunal në Kamenicë, ka ndihmuar në forma të ndryshme kompani që merren me eksploatimin e rërës dhe zhavorrit.

Sipas prokurorisë, kjo ndihmë kishte konsistuar në dhënien e instruksioneve për eksploatim ilegal të rërës dhe zhavorrit, duke i udhëzuar kompanitë të pajisen me dokumente fiktive doganore si mbulesë për veprimtarinë e tyre ilegale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimin ndaj tij e ka shpallur të premten, kryetari i trupit gjykues Aziz Shaqiri, i cili ka thënë se gjykata nuk ka gjetur prova se i akuzuari Latifaj ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej.

Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi, sipas gjykatësit Shaqiri, brenda afatit ligjor, mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas gjykatësit Shaqiri, shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ndryshe, gjatë shpalljes së aktgjykimit në gjykatore prezantoi i akuzuari Refik Latifaj, ndërsa mungoi mbrojtësi i tij, avokati Avdi Dinaj, si dhe prokurori i rastit Isuf Sadiku.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 8 mars 2017, kishte shpallur fajtor Refik Latifajn dhe e kishte dënuar me burg në kohëzgjatje prej 180 ditësh, ku i është llogaritur edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak prej 24 shtator 2014, deri më 19 nëntor 2014.

Ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë kishin bërë mbrojtësit e të akuzuarit Refik Latifaj, avokatët Selami Rexhepi dhe Shemsedin Piraj, me arsyetimin se aktgjykimi ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ka shkelje të Kodit Penal, si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Gjykata e Apelit e Kosovës, më 24 tetor 2017, kishte refuzuar ankesën e përbashkët të mbrojtësve, kurse aktgjykimin e shkallës së parë e ka vërtetuar, duke vlerësuar se ky aktgjykim nuk është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë dhe se nuk ka as shkelje të Ligjit Penal e që do të kushtëzonte anulimin e aktgjykimit.

Gjykata Supreme e Kosovës, me miratimin e kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësve të të dënuarit Refik Latifaj, avokatëve Selami Rexhepi, Shemsedin Piraj dhe Avdi Dinaj, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan si dhe atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës, duke e kthyer çështjen në gjykatën e shkallës së parë.

“Arsyet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë të cilat i ka konfirmuar edhe ajo e shkallës së dytë, lidhur me fajësinë e të dënuarit, nuk mund të pranohen nga kjo gjykatë. Për më tepër, provat janë paraqitur në mënyrë narrative pa ndonjë analizë kritike të tyre e në kuadër të kësaj edhe mbrojtja e të dënuarit, duke pasur parasysh faktin se shkeljet e konstatuara nuk i ka evituar gjykata e shkallës së dytë, edhe pse për këto shkelje kujdeset sipas detyrës zyrtare, ashtu që, edhe aktgjykimi i kësaj të fundit është i paligjshëm”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Tutje, Gjykata Supreme, kishte vlerësuar si të bazuara pretendimet nga kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë se aktgjykimet e kundërshtuara janë të përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke arsyetuar se në dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së parë nuk ka ndonjë përshkrim preciz dhe konkret të veprimeve të cilat i ka ndërmarrë i dënuari e që do të ndërlidheshin me përgjegjësinë dhe detyrat e tij si person zyrtar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 17 dhjetor 2014, Refik Latifaj, akuzohet se gjatë periudhës kohore 2013-2014, në cilësi të Inspektorit komunal të resurseve natyrore, e pastaj nga data 25 prill 2014 në cilësinë e përgjegjësit të Inspektoratit Komunal në Kamenicë, akuzohet se ka ndihmuar në forma të ndryshme kompani që merren me eksploatimin e rërës dhe zhavorrit. Sipas prokurorisë, kjo ndihmë kishte konsistuar në dhënien e instruksioneve për eksploatim ilegal të rërës dhe zhavorrit, duke i udhëzuar kompanitë të pajisen me dokumente fiktive doganore si mbulesë për veprimtarinë e tyre ilegale.

Këto veprime, prokuroria pretendon që Refik Latifaj i ka kryer me qëllim të dobisë së kundërligjshëm pasurore, të cilat, sipas aktakuzës, bien në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, numër 02/46, të 2 nëntorit 2011, me të cilin është ndaluar në tërësi eksploatimin e materive nga shtretërit, brigjet dhe hapësirat për rreth lumenjve. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi