Munishi emërohet ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore

Munishi emërohet ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore

Prokurori Kujtim Munishi është emëruar si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Një vendim i tillë është marr në mbledhjen e së premtes së Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas propozimit nga kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, prokurori Munishi ka marr votat unanime të anëtarëve të këtij këshilli, derisa nuk kishte propozime për emra tjerë nga anëtarët e KPK-së.

Kryesuesi Hyseni, e ka arsyetuar propozimin e tij, duke thënë se Munishi ka një eksperiencë të gjatë, kryeson Departamentin e Krimeve të Rënda dhe se ka shkollim në ShBA.

Emërimi i Munishit si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është bërë pasi që më 15 qershor, Kryeprokurori aktual i kësaj prokurorie, Imer Beka, do të lirohet nga detyra për shkak të pensionimit.

Munishi do ta mbaj këtë pozitë deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri.

Për zgjedhjen e Kryeprokurorëve, kryesuesi i KPK-së ka thënë se është duke u përgatitur një rregullore e re, mos ndryshimi i së cilës ka qenë shkak për anulimin e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi