Blakaj: Në Prishtinë pengohen investimet e diasporës, ka haraç

Blakaj: Në Prishtinë pengohen investimet e diasporës, ka haraç

Kosova edhe më tej mbetet vend i pa përshtatshëm për investimet e diasporës shqiptare, ngase përveç që nuk ka klimë të favorshme të të bërit biznes, mungon edhe siguria për investime. Përfaqësues të bizneseve në diasporë deklarojnë se në komunën e Prishtinës tash e pesë vjet është duke u penguar një projekt 300 milionë euro.

Kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Evropë, Yll Blakaj pohon në një intervistë për KosovaPress se nuk ka siguri për investime të huaja e as për ato nga diaspora, sepse element kryesor për ikjen e investitorëve nga diaspora është haraçi.

Blakaj thotë se Kosova duhet t’i mbrojë investitorët dhe t’i eliminojë këto burokraci sa më parë që të bëhet vend i favorshëm për investimet e diasporës, por që ka edhe shumë kompani nga rrjeti i bizneseve të cilat janë themel kryesor i ekonomisë në Kosovë.

 

“Krejt këto qëndrojnë, përderisa ne nuk kemi një vërshim të investitorëve. Këto janë detyra të qeverisë tonë dhe të qeverisë së Shqipërisë që të hulumton pse nuk vijnë investitorët ose pse vijë e kthehen? Sigurisht që kemi shumë raste të keqpërdorimit të investitorëve, dëshpërimi i tyre, kërkesa e favoreve të ndryshme. Kemi njerëz që kanë projekte 200-300 milionë euro, që kanë leje të ndërtimit, edhe ndërrohet një qeveri komunale ose një çështje tjetër dhe qe pesë vjet s’mundet me vazhduar projektin, e shumë burokraci të tjera që popullit tonë nuk i duhen. Duhet të eliminohen këto sa më parë, të bëhemi vend i favorshëm. Mos ta harrojmë s’e ne nuk jemi mesi I botës këtu, nuk jemi konsumatorët më të rëndësishëm të botës, megjithatë për diasporën tonë jemi vendi më i rëndësishëm dhe dëshirojmë me mish e me shpirt ta zhvillojmë”, deklaron Blakaj.

Kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Evropë, Yll Blakaj përmend se një projekt 300 milionë euro nga diaspora po pengohet të realizohet qe pesë vjet në komunën e Prishtinës.

Blakaj thotë se në ditët në vijim, do tregojë për cilin projekt bëhet fjalë.

 

“Vet fakti, qe pesë vite, unë e di një shembull, që 300 milionë euro është projekti për investime në komunën e Prishtinës, i cili qëndron nëpër tavolina. Me dy kryeministra ose me pesë ministra unë deri tash e kam biseduar për këtë problem, dhe nuk dëgjohet sikur ne vesh të shurdhër. Kjo lenë të kuptohet se njerëz të caktuar nuk janë të interesuar për këto vërshime me investime, nuk e di pse! Në Austri ku jetoj, në qoftë se flasim për 300 milionë euro investime do të formohet një Grup ose një Task forcë vetëm për atë projekt dhe do të zgjidhet problemi brenda një muaj”, pohon Blakaj.

Ai thotë se investimi i kapitalit në prona të patundshme tregon qartë se diaspora kosovare ka mjete dhe është e gatshme për tregun kosovar, por Kosova nuk është e gatshme t’i thithë krejt këto energji të diasporës apo mundësitë bizneseve shqiptare që veprojnë gjithandej nëpër Evropë.

Blakaj: Nuk ka sistem të qartë për thithjen e investimeve në Kosovë dhe Shqipëri

video

“Sigurisht që nuk jemi të gatshme për një vërshim të tillë(për investime), por megjithatë në si Rrjet po fillojmë të gjejmë mënyra më të volitshme të depërtojmë jo vetëm në patundshmëri dhe remitenca, por ta ndërrojmë destinimin...Shqipëri dhe Kosovë, ligje ekzistuese kemi të mira, perfektë. Sistemi tatimor është i mirë, megjithatë aty mbetet gjithçka. Ne s’kemi gjykata ekonomike ende. Nëse ne të dy e lidhim një kontratë, duhet me u paraparë që mundet mos me shkuar mire, por që duhet me e zgjedhur edhe kontestin. E dyta, është sistemi i energjisë elektrike, nuk është shumë qëndrueshëm. Pra, një sistem të qartë për thithjen e investimeve, na mungon edhe në Shqipëria dhe në Kosovë”, deklaron Blakaj.  

Kryetari i rrjetit të bizneseve thotë se secili biznesmen nga diaspora ëndërr e ka tregun e Kosovës dhe të Shqipërisë, jo për përfitime personale, por për përfitime kombëtare.

Tre mijë biznese shqiptare janë anëtare të Rrjetit të Biznesit Shqiptare, ndërsa supozohet që janë mbi 30 mijë biznese shqiptare që kanë vërshuar tregun e Evropës.