​Përkujtohen martirët e fshatit Koshtovë të Mitrovicës

​Përkujtohen martirët e fshatit Koshtovë të Mitrovicës

Nën patronatin e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, sot në Mitrovicë, është mbajtur akademi përkujtimore, me rastin e 20 vjetorit të rënies së martirëve, Hajriz Miftari, Ahmet Miftari, Lulzim Miftari, Halil Miftari dhe Besim Miftari nga fshati Koshtovë i Mitrovicës.

I pari i cili mori fjalën në këtë akademi ishte kryetari Agim Bahtiri, i cili tha se është mirë që po organizohen tubime të këtilla përkujtimore përmes të cilave kujtojmë kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë  trimat tanë për çlirimin e atdheut.

"Shpreh ngushëllimet më të sinqerta  familjes Miftari, të cilët në kohë të luftës humbën anëtarët më të  ngushtë të familjes. Ne sot jemi mbledhur këtu për të përkujtuar martirët e fshatit Koshtovë, të cilët  dhanë jetën e tyre për të shtrenjtën liri. Falë gjakut të dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë të rënëve,  por edhe falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe miqve tanë ndërkombëtarë ne sot  kemi një shtet të pavarur, një liri të cilën më parë se kishim, andaj sot më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar për të mirën e vendit dhe për të dërguar në vend amanetin e këtyre martirëve si dhe të gjithë të rënëve", ka thënë  kryetari Bahtiri.

Në këtë akademi fjalën e mori edhe historiani, Haxha Salihu, njëkohësisht përfaqësues i fshatit Koshtovë, i cili foli për jetën dhe veprën e gjashtë martirëve të rënë për liri, duke theksuar se fshati Koshtovë ka dhënë shumë për lirinë që ne po e gëzojmë sot. 

"Në këtë 20 vjetor të rrënjës së bashkëvendësve të mi të cilët janë martirët tanë, ne banorët e fshatit Koshtovë gjithmonë do të jemi krenarë me ju, për sakrificën dhe veprën tuaj që ne sot ta gëzojmë lirin. Në fshatin Koshtovë kanë dhënë jetën 17 bashkëvendës të mi, ndërkaq ka të tillë që ende nuk dihet për fatin e tyre. Nga kjo akademi ju  bëjë thirrje  të gjithëve që të punohet më shumë në zbardhjen e fatit të tyre", ka thënë Salihu.

Ndërsa përfaqësuesi i familjeve për personat të pagjetur, Bajram Qerkini, ka theksuar se edhe pas 20 viteve ne ende nuk kemi arritur që ti kthejmë të gjithë trupat e të rënëve për liri.

 "Sot 20 vite më parë gjashtë martirët e fshatit Koshtovë të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë që ne sot po e gëzojmë, dua të theksojë se edhe pas 20 viteve 1,620 persona janë ende të zhdukur dhe nga këtu ju bëjë thirrje organeve gjegjëse që të punojnë më shumë që të gjinden trupat e tyre" tha ai.