Bashkëpunimi ndërfqinjësor me rëndësi thelbësore

Bashkëpunimi ndërfqinjësor me rëndësi thelbësore

Paqja dhe stabiliteti, marrëdhëniet e mira reciproke si dhe marrëdhëniet ndërfqinjësore janë qëllimi i shoqërisë, u tha në konferencën rajonale për paqe e cila është mbajtur në Kuvendin e Kosovës.

Bashkëpunimi ndërfqinjësor është me rëndësi thelbësore për bashkëpunimin rajonal, theksoi kryetari i Federatës së Paqes Universale të Kosovës, i cili foli për bashkëpunimin e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova ka bashkëpunim funksional me shtetet e rajonit, por jo edhe me Serbinë. Me institucionet e Serbisë është ende larg rrjedhave integruese meqë krerët politik në Beograd nuk kanë gatishmëri për këtë. Për Beogradin zyrtar, bashkëpunimi është vetëm përmbushje e detyrimeve ndaj mekanizmave ndërkombëtar, e jo vullnet i lirë i tyre. Nje shprehje popullore thote: Ne duhet të mësohemi të jetojmë së bashku si vëllezër, ose do të vdesim së bashku si budallenj”  tha Binak Ulaj, kryetar i Federatës së Paqes Universale të Kosovës.

Pjesëmarrësve iu drejtuan ish-presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Alfred Moisiu.

“Tema e zgjedhur dhe qëllimi themelor i Federatës është që të shtrihet një aktivitet i dendur i gjithë punonjësve për paqe.Jemi në një rrugë që duhet ta ndërtojmë bashkë me qytetarët e Kosovës. Një nga pikat themelore të orientimit që ka pas Kosova është të gjendet një rehati shpirtërore reale për qytetarët e saj”, tha Sejdiu.

“Nuk ka popull që dëshiron të luftoj apo ta godas popullin tjetër, janë politikat që shpien në përplasje midis popujve dhe kjo varet nga kryesit e politikës dhe nga frymëzuesit.  Popujt e Ballkanit kanë pasur momente të vështira në të kaluarën, por që ia kanë dalur kur janë bërë bashkë për mbrojtjen e trevave të tyre. Ballkani ka qenë rrugë kryq i perandorive botërore, ka qenë shenjë betejë e dy luftërave botërore, të gjithë këto kanë lënë gjurmë është e vështirë në Ballkan të përcaktosh një vijë që ndan njëra me tjetrën dhe është e çuditshme sepse në kushte të vështira të gjithë arrijmë të bashkohemi”, tha ai dhe shtoi “Shokun dhe mikun mund ta zgjedhësh, por fqinjin ta jep Zoti. Pra të bashkëjetojmë, të kombinojmë, të jetojmë, ky është qëllimi ynë për të cilin uroj të keni suksese në këtë konferencë dhe të arrini atë që duam”, tha ai.

Deputeti në Kuvendin e Kosovës dhe kryetari i Partisë së Pavarur Liberale Sllobodan Petroviq, duke folur për paqen si qështjën më të rëndësishme dhe rolin e zyrtarëve për të krijuar kushte më të mira për jetën e qytetarëve të tyre, kujtoi se qytetarët e Kosovës janë ende në pritje të liberalizimit të vizave.  

"Prandaj, ftoj miqtë dhe partnerët nga bashkësia ndërkombëtare, BE dhe SHBA që të ndihmojnë në procesin e liberalizimit të vizave. Në këtë rast, BE-ja duhët të bëjë një lëvizje përpara në mënyrë që qytetaret e Kosovës të shohin se nuk janë të vetmit në Evropë që kanë këtë problem me liberalizimin e vizave. Mund të jetë një hap i vogël, por një mesazh i mirë, "tha Petroviq.

Që edhe marrëdhëniet e ndërsjella të banorëve të tri komunave në Luginën e Preshevës janë gjithashtu në qendër të vëmendjes, ka theksuar kryetari i komunës së Bujanocit.

"Paqja në shoqëri varet nga disa elementë, rajoni nga i cili vij unë, është aktual për shkak të rrethanave në të cilat jetojmë. Këto janë tri komuna shqiptare në jug të Serbisë të banuara kryesisht nga shqiptarët, pasi jemi në kufi me Kosovën, për 20 vitet e fundit ne kemi ndier tensionet. Sot jetojmë në rrethana të tensionuara dhe element kyç për ndërtimin e fqinjësisë  të mirë është një trajtim reciprok ndaj pakicave ", tha Kamberi.

Në Konferencën Rajonale të Paqes morën pjesë edhe Kryesuesi i Federatës së Paqes Universale për Evropën dhe Lindjen e Mesme, i cili dërgoi një mesazh të qartë duke thënë se bashkëpunimi, dialogu dhe respektimi i ndërsjellë janë fjalët kyçe të kësaj epoke.

Ai njoftoi për takimin e tretë të Evropës Juglindore që do të mbahet në Tiranë në tetor.


MË SHUME NGA Nacionale