FemArt nga sot deri më 16 qershor

FemArt nga sot deri më 16 qershor

Qendra për Art dhe Komunitet - Artpolis për herë të shtatë, organizon festivalin FemArt – Festivali Rajonal për Artiste, që do të mbahet në Prishtinë nga sot deri më 16 qershor.

Moto e festivalit këtë vit është ‘Me Liri kundër Marres’, duke i inkurajuar gratë të marrin pronësinë mbi jetët e tyre dhe në vendim-marrje, duke promovuar një jetë pa paragjykime e gjykime.

Organizatoret nëpërmjet një komunikate thonë se duke qenë të gjykuara dhe të turpëruara nga shoqëria patriarkale në vazhdimësi, moto e festivalit FemArt ka për qëllim të rrisë vetëdijen dhe të fuqizojë gratë pa marrë parasysh përkatësinë etnike, sociale, raciale apo preferencave seksuale.

 “Përveç rreth 200 artisteve dhe aktivisteve nga Kosova, rajoni, Evropa, Amerika, Azia dhe Afrika, festivali do t’i angazhojë 30 vullnetarë/e, të rinj/reja nga të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë që ta ngritë pjesëmarrjen e rinisë në çështjen e forcimit të rolit të gruas në Kosovë dhe rajon dhe ndarjen e përvojave. Festivali Femart është pjesë e iniciativës së 20 aktiviteteve për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës, organizuar në bashkëpunim me komunën e Prishtinës”, thuhet në komunikatë.

Autor: RTKlive