Meta: Anulimi i zgjedhjeve, mjet për të shmangur konfliktin

Meta: Anulimi i zgjedhjeve, mjet për të shmangur konfliktin

Presidenti Ilir Meta firmosi sot dekretin për anulimin 30 qershorit si datë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore.

Në një konferencë të jashtëzakonshme para dhjetra gazetarëve kreu i Shtetit, Ilir Meta lexoi dhe 8 arsyet që e bindën për të ndërmarrë një vendim të tillë.

Kreu i shtetit e quajti mjet emergjent për të zgjidhur krizën në të cilën ndodhet vendi dhe për të shmangur rrezikun e përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend.

 Andaj si Kreut i Shtetit, tha ai, që përfaqëson unitetin e popullit, nuk mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve që mund të shndërroheshin në një betejë force mes mbështetësve të dy palëve, apo një betejë mes qytetarëve dhe forcave të zbatimit të ligjit.

Me pas Meta ftoi aktoret vendas dhe nderkombetare që të angazhohen per zgjidhjen e krizes. Data e re e zgjedhjeve do të vijë pas arritjes së një konsensusi mes forcave politike. 

Teksa firmosi live dekretin në Presidencë, Meta e mbylli konferencën e jashtezakonshme me simbolin kombëtar, shqiponjën.

Pjese nga argumentimi i dekretit. Poshte shkrimit dekretimi dhe argumentimi eshte ne formatin PDF

.... Sipas Kushtetutës, pa patur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, nuk mund të zhvillohen.

....Me dorëheqjen në bllok të mandateve jeta politike parlamentare ka pësuar një krizë të rëndë përfaqësimi. Nga ana tjetër, Shqipëria po kalon një krizë të rëndë kushtetuese, Nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, dhe si për ta rënduar më shumë këtë gjëndje, së fundmi edhe Gjykata e Lartë është jashtë funksionit të saj. 

...E gjithë kjo gjendje, është shumë shqetësuese dhe rrezikon seriozisht stabilitetin demokratik të Shqipërisë, kjo për faktin se mekanizmat kushtetues që mbajnë nën kontroll dhe garantojnë ndarjen dhe balancimin midis pushteteve nuk janë funksionalë.

...Në vlerësim të situatës që po kalon vendi dhe gjuhës së urrejtes që po përdorin palët politike, si President i Republikës evidentoj se,ekziston rreziku që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm tëtensionit social, që mund të shkaktojnë pasoja të pakontrollueshme.

...Si Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, e konsideroj këtë moment si rrezik serioz për sigurinë publike, stabilitetin demokratik, qetësinë dhe paqen në vend.

...Realizimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore pa pjesëmarrjen e opozitës është problematike në aspektin demokratik, sepse u pamundëson qytetarëve shqiptarë të zgjedhin midis alternativave konkuruese përfaqësuesit e tyre në nivel vendor.

 ...Nëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të planifikuara për në 30 qershor 2019, merr pjesë vetëm mazhoranca, atëherë qytetarëve i cenohet ushtrimi efektiv i të drejtës kushtetuese për të zgjedhur.

...Kjo situatë bëhet edhe më absurde, referuar faktit që për këto zgjedhje në më shumë se në gjysmën e njësive të qeverisjes vendore konkuron vetëm një kandidat për t’u zgjedhur si Kryetar Bashkie, ndërkohë që për pjesën tjetër konkurohet me kandidatë të propozuar nga një forcë politike e regjistruar në minutat e fundit në sistemin gjyqësor, dhe e regjistruar pranë KQZ përtej afateve ligjore.

...Kjo gjë tregon qartë së ky proces zgjedhor është fiktiv dhe është një element shtesë që provon faktin që standardet demokratike të kërkuara për plotësim jo vetëm që nuk mund të përmbushën, por po shkelen në mënyrë flagrante.

...Rezultati fiktiv që do prodhohej, i bën zgjedhjet e dekretuara për t’u zhvilluar më datë30 qershor, zgjedhje jo demokratike, sepse cenohen tëdrejtat kushtetuese tësanksionuara në nenin 1, pika  3, nenin 45 dhe 109 të Kushtetutës.

...Në këto kushte, ku Presidenti i Republikës ka përmbushur detyrën etij kushtetuese për caktimin e datës së zgjedhjeve, por për shkaqe të pavarura prej tij, rezulton se, nga mbajtja e këtyre zgjedhjeve cenohet ushtrimi efektiv i një të drejte kushtetuese të qytetarëve, atëherë Presidenti i Republikës ka detyrimin kushtetues që të kontribuojë në rivendosjen dhe realizimin e kësaj të drejte, duke ndërmarrë çdo akt, apo masë që e çmon proporcionale dhe të duhurën për rregullimin e situatës së krijuar.

Së dyti, pjesëmarrja në zgjedhje vetëm e mazhorancës, dhe aq më tepër kur në më shumë se gjysmën e njësive të qeverisjes vendore është regjistruar vetëm një kandidat, cenon rëndë parimin kushtetues të pluralizmit mbi të cilën ndërtohet fuksionimi i shtetit të ssë drejtës. 

...Presidenti i Republikës ka bindjen se, me autoritetin e Tij kushtetues, nëpërmjet këtij akti do të kontribuojë për ndërtimin e një shteti të së drejtës, demokratik e social për të garantuar një të drejtë themelore të njeriut, siç është e drejta për t’u zgjedhur.

...Së treti, zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike, mund të sjellësi pasojë jo vetëm mospjesëmarrjen në zgjedhje të rreth gjysmës së votuesve, por krijon rrezikun e një konflikt civil, gjë e cila përbën rrezik serioz për dëmtim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetin demokratik të vendit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues.

....Presidenti i Republikës, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka vënë re se sjellja e aktorëve politike në vend, ka krijuar një klimë të theksuar konflikti që rrezikon stabilitetin e e rendit publik, çka do të përbënte rrezik edhe për vet sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe do tëdefaktorizonte rolin e vendit tonë si faktor paqe e stabiliteti në rajon. 

...Presidenti i Republikës, ka ndjekur të gjitha protestat zhvilluara nga forcat opozitare, ashtu sikundër ka evidentuar edhe kundërpërgjigjen e mazhorancës nëpërmjet mitingjeve të organizuara prej saj në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë. 

...Të dy palët kanë bërë nxitje për provokime ndaj njera-tjetrës, ku shpesh herë me deklaratat e tyre i ndajnë qytetarët e vendit në dy pjesë duke i vendosur kështu për shkak të bindjeve politike përballë njeri-tjetrit, të gatshëm për të demostruar fuqinë e secilës palë. 

...Pikërisht zhvillimi i protestave dhe i deklarimeve të opozitës si dhei antimitingjeve apo thirrjeve kërcënuese të mazhorancës nuk japin aspak siguri për zhvillimin e zgjedhjeve, të qeta, të lira, të ndershme,kunkuruese dhe me standarde.

....Nga ana tjetër në protestat e zhvilluara deri më tani nga opozita, janë vërejtur elementë të dhunës ndaj forcave të rendit, apo ndaj pronës publike, ndërkohë që edhe nga forcat e zbatimit të ligjit, janë përdorur mjete, teknika, dhe në disa raste reagime jo proporcionale. 

...Në këtë mënyrë, nësedita e zgjedhjeve do të shndërrohet në një betejë force midis mbështetësve të mazhorancës dhe opozitës, apo në një betejë midis qytetarëve dhe organeve ligjzbatuese, atëherë zgjedhjet do të humbisnin vlerën e tyre në një shoqëri demokratike, dhe nga një mjet esencial i garantimit tënjë shoqërie demokratike, do të ktheheshin një mjet rreziku për bashkëjetesën demokratike dhe unitetin e popullit.

...Ky rrezik duhet të parandalohet me mjete kushtetuese, ku pa dyshim përfshihet dhe anulimi i datës së zgjedhjeve nga organi që ka kompetencë dhe detyrë kushtetuese, nga njëra anë të mbrojë unitetin e popullit (neni 86 i Kushtetutës), dhe nga ana tjetër të caktojë datën e zgjedhjeve (neni 92/gj i Kushtetutës). 

...Në kushtet aktuale, anulimi i zgjedhjeve,është mjeti i vetëm emergjent për zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe parandalimin e një përshkallëzimi të pakontrolluar të saj dhe shtyrja e tyre për në një datë tjetër të dakordësuar mes palëve politike, do tëshërbejësi nxitje për dialog për zgjidhjen e krizës që po kërcënon stabilitetin demokratik të vendit.

Së katërti, në rastin e zgjedhjeve lokale, dita e zgjedhjeve, nga pikëpamja kushtetuese, mund të tejkalojë mandatin e organit përfaqësues apo ekzekutiv të njësisë së qeverisjes vendore.

...Për pasojë, shfuqizimi i  dekretit  dhe rrjedhimisht dhe anulimi i datës së zgjedhjeve dhe shtyrja e tyre përtej periudhës zgjedhore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, në kushtet kur bëhet për të mbrojtur vlera dhe parime kushtetuese, bazë për funksionimin demokratik të shtetit dhe institucioneve, nuk paraqet pengesa nga pikëpamja kushtetuese.

...Së pesti, zhvillimi i proceseve zgjedhore në Republikën e Shqipërisë si për Kuvendin dhe ato për organet e qeverisjes vendore, kanëkrijuar historikun e vet, ku nuk mungojnërastet e preçedentëve të mëparshëm të shtyrjes sëdatës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, gjithmonënë varësi të rrethanave dhe për të përmbushur një qëllim të ligjshëm.

...Për fat të keq të dy palët qendruan në pozitat e tyre ekstreme. Maxhoranca vijon të tentojë kapjen totale të institucioneve, ndërsa opozita deligjitimimin e plorë të tyre.  

...Në këto kushte, për shkak të rrethanave të krijuara, Presidenti i Republikës, duke vlerësuar të pamundur zgjidhjen e situatës me marrëveshje, ndërmerr këtë inciativë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm të konfliktit social, ndërkohë që me anulimin e datës së zgjedhjeve synon të krijojë një hapësirë kohe të nevojshme që palët të reflektojnë për të diskutuar dhe gjetur zgjidhjen për këtë krizë të rëndë.

Së gjashti, Presidenti i Republikës vlerëson të rëndësishëm faktin që, nga mosrealizimi për arsye kushtetuese të zgjedhjeve brenda afatit ligjor, të mos cenohen interesat e qytetarëve shqiptarë.

...Rezulton e parashikuar me ligj se,nuk krijohet vakum funksional në organet e qeverisjes vendore aktuale, deri në zgjedhjen dhe fillimin nga funksionimi i të zgjedhurve nga zgjedhjet vendore që pritet të zhvillohen në një datë të mëvonshme.  

Së shtati,si President i tëgjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet politike, ai nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj dëmit të jashtëzakonshëm që kriza politike ka shkaktuar e pritet të shkaktojë edhe më shumë në ekonominë e çdo familje shqiptare dhe në mbarë vendin. Ajo ka injektuar pasiguri tek konsumatori, tek bizneset e vogla dhe të mëdha, investitorët vendas dhe të huaj, në turizëm dhe çdo aspekt tjetër të mbarëvajtjes sociale-ekonomike të vendit.

Pikërisht edhe për këto arsye, Kreu i Shtetit, ka vendosur që të ndërhyrjë me qëllim që kjo krizë të marrë një zgjidhje, dhe jo të thellohet pa mbarim pasi për nga pasojat që do të sillte, do të ishte e pallogaritshme për familjet shqiptare dhe ekonominë e vendit. 

Së teti... zhvillimi i zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019, pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, do të shënonte ngrirjen e progresit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, do të minonte çdo mundësi për çeljen e negociatave dhe përmbushjen e kriterit kryesor të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe do të dëmtonte imazhin e Republikës së Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe si kryesues i OSBE-së në vitin 2020, kur për vetë OSBE-në çështjet e standardeve zgjedhore janë thelbësore.

...Në rast se në Republikën e Shqipërisë do të zhvillohen zgjedhjet e datës 30 qershor, ku në pjesën dërrmuese konkurron për organet drejtuese vetëm një forcë politike, atëherë kjo situatë përbën shkelje të drejtpërdrejtë të detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe pikërisht në parimet bazë të saj, çka do të përbënte një regres me pasoja shumë të rënda për të ardhmen Evropiane të vendit. 

 ...Një tjetër angazhim ndërkombëtar madhor që Republika e Shqipërisë është kryesimi për herë të parënë vitin 2020 i organizatës së OSBE-së.

Në kuadër të këtij angazhimi madhor, do të ishte e pamoralshme për Republikën e Shqipërisë, që si vend që pritet të kryesojë organizatën më të madhe rajonale të sigurisë në botë, që punon për stabilitet, paqe dhe demokraci për më shumë se një miliard njerëz, ti paraprijë kryesimit të kësaj organizate ndërkombëtare me shembullin më të keq të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe cenimit të demokracisë dhe pluralizmit politik.

 ...Pikërisht edhe për këtë shkak Presidenti i Republikës, për të shmangur këtë rrezik potencial ka vendosur të shfuqizojë dekretin nr.10928, datë 05.11.2018, për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore dhe anulimin e datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të tyre.

Kjo vendimmarrje e Presidentit të Republikës, i shërben krijimit të një hapësire kohore, brenda së cilës palët politike në vend pa vonesëtë reflektojnë për të reaguar që të dialogojnë për një zgjidhje në funksion të interesave të vendit, larg interesave të ngushta e afatshkurta të partive politike që ata përfaqësojnë dhe që do të ndihmonte axhendën e përbashkët Evropiane të Shqipërisë.

Për të gjitha sa kam parashtruar më sipër; 

Me shqetësimin e thellë për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mos-reflektimit të asnjërës pale;

Duke patur parasysh domosdoshmërinë e ç’tensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend;

Me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse;

Me përgjegjësi për të ardhmen evropiane të vendit; 

Me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik dhe që garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut;

Me frymën e tolerancës, në funksion të paqes, mirëqenies dhe solidaritetit shoqëror;

Me bindjen se kjo vendimmarrje në kushtet aktuale është mënyra e vetme për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës së rëndë ku ndodhet vendi;

Duke marrë përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor, si Kreu i Shtetit duke iu përmbajtur betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar;

Në përputhje me kompetencën që më jep neni 92, shkronja “gj” e Kushtetutës, si dhe në mbështetje të preambulës së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pikës 3 të nenit 1, nenit 3, pikës 2 të nenit 4, nenit 15, nenit 45, pikës 1 të nenit 86, pikës 3 të nenit 88, dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;

Presidenti i Republikës, ka vendosur që të dekretoj shfuqizimin e Dekretit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe anulimin e  datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.

Ftoj të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë.

Ndaj i bindur për rëndësinë e këtij akti historik për të shpëtuar të ardhmen evropiane të vendit dhe për të mbrojtur bashkëjetesën demokratike të të gjithë shqiptarëve po e nënshkruaj këtë dekret përpara të gjithë shqiptarëve./oranews