Beqaj: Synojmë krijimin e punësimit përmes ngritjes së aftësive eksportuese

Beqaj: Synojmë krijimin e punësimit përmes ngritjes së aftësive eksportuese

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj ka marrë pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për 65 profesionistët e rinj, të cilët janë certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare për CNC operatorë, automatizim të industrisë dhe efiçienca në energji.

Më këtë rast, ministri Beqaj ka thënë se  krijimi i vendeve të reja të punës, përmes promovimit të eksportit është në fokusin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

“Kjo është forma më e mirë e bashkëpunimit strategjikë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Gjermanisë, në fushën e përgatitjes së kuadrove të reja për tregun e punës”, tha ai.

Ministri Beqaj ka thënë se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, së bashku me GIZ-in nëpërmjet projektit CETEP, po i përgatisin kuadrat e reja për të punuar dhe qëndruar në Kosovë.

“Projekti CETEP është projekt për krijimin e punësimit përmes ngritjes së aftësive eksportuese. Këta sektorë ku janë aftësuar 65 profesionistë, janë të kërkueshëm në treg. Prandaj, t’i përgatisim këta njerëz për të qëndruar në Kosovë dhe për t’u bërë pjesë e ekonomisë dhe rritjes së potencialit për eksport”, ka thënë ai.

Beqaj ka bërë të ditur se kanë nisur procedurat edhe për projektin CETEP Pus, i cili sipas tij, do të ofrojë më shumë mundësi e fonde për përkrahjen e projekteve të ndryshme.

Ndryshe, Projekti CETEP, është bashkëfinancim i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe GIZ-it.

 

Autor: RTKlive