Pacientët ende të detyruar t’i blejnë të gjitha gjërat higjienike

Pacientët ende të detyruar t’i blejnë të gjitha gjërat higjienike

Pacientët e shtrirë në disa klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ankohen se janë të detyruar t’i blejnë të gjitha gjërat higjienike, madje edhe jastëkun. Mungesa e produkteve higjienike rrezikon shëndetin e pacientëve, thotë për Radio Kosovën Besim Kodra, nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës.

Në disa nga klinikat e QKUK-së, pacientët po përballen me mungesë të produkteve higjienike si dhe gjërave të tjera elementare. Krenare Cakaj, e shtrirë në Klinikën Gjinekologjike, thotë se përveç shtratit, në repartin ku po trajtohet, aty nuk ka asgjë tjetër, madje as shampon për duar.

”Përveç gjërave elementare medikamente që nuk kam pasur nevojë t’i blej, të tjerat të gjitha: ushqim e të gjitha. As jastëk nuk ka, as çarçafë, as asgjë, përveç shtratit që e gjen në repart. Kujdesi është minimal, vizitat kryhen ashtu sipas orarit rutinor. Nuk e di pse jam duke qëndruar në spital dhe për çka?!”.

Të njëjtën gjë e thotë edhe Eriona Suka, një paciente tjetër në këtë klinikë. Ajo thotë se madje i është dashur të blejë vetë edhe jastëkun.

”Peceta higjienike,bukën, shamponin e duarve. Jastëkun është dashtë ta blej se nuk ka pasur.”

Për të njëjtat mungesa ankohet edhe Behar Gashi, i shtrirë ne Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare. Sipas tij, kostoja e shpenzimeve të tij mund të afrohet me shumën që do të mundë të paguanin në ndonjë klinikë private.

Mungesa e produkteve higjienike paraqet rrezik për shëndetin e tyre, thotë për Radio Kosovën Besim Kodra, nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës.

”Mungesa e materialit higjienik e rrezikon atë institucion edhe për mbyllje, për shkak se ajo e rrezikon edhe sigurinë e pacientëve edhe të personelit brenda. Në fakt, më e madhe se kjo mua më duket mungesa e përgjegjësisë së institucioneve për këtë gjendje që është aktualisht.”

Ndërkaq, Zyra për Informim e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në një përgjigjeje elektronike dhënë Radio Kosovës thotë se në vazhdimësi ka furnizuar dhe është duke i furnizuar klinikat me letër higjienike dhe shampon të nevojshëm.

“Vetëm në muajin maj, klinikat janë furnizuar me 4500 pako me shampon, 18000 pako letra higjienike për duar, 2400 pako letra për tualet. Ndërkaq, furnizime ka pasur edhe në muajt e kaluar, si në muajin Prill, po ashtu edhe në muajt e tjerë. Kërkesat janë bërë nga klinikat edhe për muajin qershor, klinikat janë duke u furnizuar”, thuhet në përgjigjen elektronike të Zyrës së Informimit të QKUK-së.  

Autor: Elmina Osmani, Radio Kosova