Turqi: Kërkim i dëshpëruar i drejtësisë

Turqi: Kërkim i dëshpëruar i drejtësisë

Javën e kaluar, Komisioni Evropian i dëshmoi Turqisë një hap prapa në të drejtat themelore dhe në sundimin e ligjit. Opozitarët në Turqi nuk presin shumë nga reforma e drejtësisë e shpallur nga Presidenti Erdogan.

Burgjet në Turqi janë plot - të tejmbushura. Vetëm që prej përpjekjes për puç, më pak se tri vjet të shkuara, janë arrestuar më shumë se 100.000 vetë, shumica prej tyre, sepse dyshohet se kanë mbështetur terrorin. Dhe në mbështetës të terrorit kthehesh shpejt, siç e di edhe eksperti turk i Amnesty International në Stamboll, Andrew Gardner. "Problemi më i madh në Turqi është se ti nuk e di se për çfarë mund të përfundosh në burg apo pse të ngarkojnë me një aktakuzë."

Kjo mund të ndodhë për çdo gjë: ti bën diçka, kjo mund të jetë një fjalim, shprehesh diku në një takim, edhe vetëm po të takohet shoqëria civile, ndonjë gjë që publikon një gazetar apo një aktivist, ndonjë gjë që ndan një qytetar në rrjetet sociale, shprehet Gardner.

Por kaq shpejt sa hyn në burg, nuk del dot. Paraburgimi mund të zgjasë disa vjet. Përkrahësi turk i kulturës, Osman Kavala ndenji për më shumë se një vit e gjysëm në burg - për një kohë të gjatë pa e ditur fare se për çfarë akuzohej - dhe në izolim, ankohet avokati i tij, Köksal Bayraktar. Një vit izolimi në burg është torturë, thotë avokati.

Edhe korrespondenti gjermano turk i gazetave, Deniz Yücel, qëndroi gjatë në paraburgim, i izoluar në një qeli. Edhe ai e akuzon shtetin turk për torturë. Këto janë raste të famshme.

Vëllai i Yildiz Doganayt nuk bën pjesë në këto raste. Atë e kanë burgosur në Elazig, në Turqinë lindore dhe e akuzojnë për mbështetjen e partisë kurde të ndaluar PKK. Yildiz Doganay ka frikë për të vëllanë. Ai ndodhet që prej gati dy vjetësh në paraburgim - i vetëm në një qeli. Njëherë atë e rrahën rojet e burgut.

"Ankesat sjellin rrallë ndonjë gjë"

"Ishin gjashtë deri në shtatë veta. Ai iu drejtua pastaj prokurorit dhe i tha,"Kontrolloni regjistrimet e kameras!" Kjo me sa duket u bë dhe dukej qartë se çfarë kishte ndodhur - por në fund nga kjo nuk rezultoi asgjë, " thotë Donay.

Avokati Yusuf Erdogan thotë se ankesat sjellin rrallë ndonjë gjë. Ai punon për një organizatë për të drejtat e njeriut në bastionin kurd Dijarbakir. Ai nuk beson se vijnë urdhëra për keqtrajtim nga fare lart: "Gardianët mendojnë: "pavarësisht se çfarë thotë i burgosuri, mua nuk më dënon njeri. Unë këtë e bëj për shtetin, që ta mbroj atë - dhe këta të burgosur gjithsesi janë të gjithë terroristë." Kjo është mënyra e tyre e të menduarit", thotë Yusuf Erdogan.

Ai thekson se pavarësisht se cila është arsyeja pse ndodhet një person në paraburgim, t'i duhet t'i trajtosh atë me respekt për dinjitetin e njeriut. E gjithë atmosfera armiqësore në vend i nxit shumë vetë të ushtrojnë një lloj vetëgjyqësie, thonë kritikët. Prandaj për ta, Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan është krejtësisht përgjegjës.

Rexhep Tayyip Erdogani kërcënon rregullisht se do të veprojë me ashpërsi kundër terroristëve. Por Erdogani mbron edhe veten. "Akuzat për tortura sistematike ose për keqtrajtim sistematik janë bërë prej kohësh një gjë e së shkuarës- dhe jemi të vendosur që kjo të vazhdojë kështu. Prandaj ne po ndërmarrim hapa të tjerë, për të siguruar që masat e paraburgimit të jenë të përshtatshme". 

Këto tone i dëgjon rrallë nga goja e Erdoganit. Megjithatë, vetëm tani ai po planifikon dhe ndërton një numër të madh burgjesh të reja. Synimi: krijimi i hapësirës në burg për rreth gjysmë milioni njerëz./DW