Mjekët dhe prindërit ngrehin alarm, fëmijët po bartin çanta shumë të rënda

Mjekët dhe prindërit ngrehin alarm, fëmijët po bartin çanta shumë të rënda

Shumë prindër në Kosovë obligohen që për shkak të peshës së çantave shkollore, t’i shoqërojnë në shkollë fëmijët e tyre duke ua bartur çantën.

Pesha e një çante shkollore, sa vjen e rëndohet pasi që në planprogramin mësimor  për secilën lëndë shtohen të paktën dy apo tre libra më shumë.

Një çantë shkolle që vendoset apo mbahet keq dhe është shumë e rëndë, mund të shkaktojë një numër problemesh shëndetësore për fëmijët.

Ardiana Ismaili nga Drejtoria për Arsim thotë se duke u bazuar në kërkesat e shkollave, DKA i furnizon me dollapa me aq sa kanë kapacitet buxhetor.

‘’Në bazë të kërkesave të shkollave, çdo vit duhet me aq sa kemi kapacitet dhe buxhet me i nda dhe me i plotësu kërkesat. Ne bazë të kërkesave mundohemi t’i pajisim të gjitha,  ne pranojmë kërkesa shumë të mëdhaja dhe nuk kemi buxhet t’i mbulojmë por mundohemi me atë buxhet që e kemi t’i ndihmojmë.  DKA përpiqet t’i furnizojë me dollapa’’,  thekson Ismaili.

Drejtoresha e Shkollës ‘’Nazim Gafurri’’, duke folur për Gazetën Observer thotë se shkolla është e furnizuar me dollapa për nxënësit , mirëpo kjo nuk është zgjidhja e duhur.

”Në kemi dollapa, në përgjithësi i lënë librat çka nuk ju duhen në shtëpi mirëpo nuk është fort mirë e menaxhueshme ajo mënyrë për arsye se po ju duhen prapë me i marrë librat, nuk është ndonjë lehtësim i madh.  Janë material jo i mirë, dikun-dikun  të dëmtuar për arsye se materiali nuk është i qëndrueshëm. Është ngarkesë shumë e madhe, ne e kemi ngritë këtë shqetësim edhe më herët  në Këshillin Drejtues, sepse kanë shumë libra. Vetëm për matematikë janë dikund 4 libra në klasën e parë dhe të dytën pastaj gjuha shqipe i ka tri libra do të thotë janë shumë ngarkesë e madhe. Megjithëse DKA ka investu në secilën shkollë i ka shpërnda dollapat, kjo nuk ka qënë zgjidhja më e mirë e mundshme’’, përfundon drejtoresha Makolli-Sadiku.

Vllaznim Krasniqi, fëmija i të cilit vijon mësimet në klasë të tretë, ankohet për peshën e rëndë të çantës së shkollës. Sipas tij faktorët kryesor që shkaktojnë ngarkesë të rëndë të çantave janë planprogrami mësimor i cili sipas tij duhet të modifikohet, pastaj vjen mungesa e dollapave si dhe mos digjitalizimi i shkollave.

“Fakti që stërngarkesa në çantat e fëmijëve  tanë është vërtet një shqetësim për ne si prindër tash më është ngritur si çështje tash e disa herë! A kemi mundësi t’i shmangemi!? Po kemi mundësi. Faktorët të cilët bëjnë që fëmijët tanë që mbi kurrizin e tyre të ngarkohen me pesha absurde të cilat vërtet mund ti sjellin dëme dhe telashe shëndetësore janë të shumta dhe ashiqare evidente. Po i përmend disa nga faktorët që botërisht njihen dhe nuk janë të paarritshëm!

Faktori infrastrukturor nëpër shkolla, ku fëmijët po thuajse 50% të literaturës shkollore mund ta lënë në ormanët shkollore, çka si të tillë do duhej kaherë të ofroheshin dhe siguroheshin nga organet përgjegjëse.

Plan programi mësimor, i cili do duhej të modifikohej dhe të përshtatej varësisht sipas nevojës dhe rrethanave qe do t’i përshtateshin nevojave të fëmijëve, duke mos i ngarkuar ato me detyra dhe ushtrime të cilat fëmijët i detyron që në shtëpi apo edhe në klasë të kenë me vete literaturë dhe pajisje mësimore që mbingarkojnë çantat e tyre.

Kur jemi tek premtimet apo edhe programet politike, të cilat ka vite që është thënë për digjitalizim te shkollave, e qe as për së afërmi nuk ka filluar së aplikuari në praktikë, vërehet lehtë se po të ishte një infrastrukturë e tillë, pa dyshim se fëmijët tanë nuk do kishin kaq telashe të ngarkonin çantat e tyre si një bagazh makine. Si prind e po ashtu edhe si një ish mësimdhënës për 13 vite, çështjet e tilla i kam ngritur shumë herë, por pak kam pas shpresë që ndonjëherë do zgjidhen’’, përfundon Krasniqi.

Specialisti i ortopoedisë, doktor Lavdim Berisha  sqaron se çantat shkollore tejkalojnë peshën adekuate dhe nuk janë në përputhshmëri me peshën trupore të fëmijëve. Si pasojë e kësaj, nxënësve ju shkaktohen probleme shëndetësore të cilat janë serioze.

‘’Ҫantat e shkollës nuk duhet të jenë më të rënda se 10 % e peshës trupore të fëmijës p.sh nëse një fëmijë peshon 40kg nuk duhet të mbaj ҫantë më të rëndë se 4 kg, përveq peshës së ҫantes shumë e rëndësishme është edhe forma e ҫantës, ҫanta duhet të jetë në gjërësin e shpinës së fëmijës ose lehtësisht më e gjerë, kështu që rrypat e ҫantës të mbështetën më afër krahëve, rekomandohet që rrypat e ҫantës të jenë po ashtu të gjerë, ҫanta kur të vendoset nuk guxon të jetë më poshtë se beli dhe rrypat duhet të jenë të tensionuar njëtrajtëshëm, po ashtu ҫantat që kanë rrypa gjoksi apo beli si dhe xhepa që ndihmojnë në shpërndarjen e peshës janë më të rekomanduara. Në rast të morespektimin të këtyre kritereve atëherë fëmijët mund të kenë probleme shëndetësore si dhimbje shpine, dhimbje qafe, shprehi e mbajtjes së kokës përpara për t’a balancuar peshën dhe deformitete të shtyllës kurrizore në formë te skoliozës i cili është edhe deformiteti më serioz në të cilin kontribuon mbajtja e ҫantës”, thotë Berisha.

Shumë prindër e shohin si zgjidhje më të mirë që fëmijët e tyre t’i pajisin me çanta të cilat posedojnë rrota dhe janë në formë valixheje, mirëpo këtë teori e hedh poshtë Berisha.

Sipas tij, kjo metodë nuk është aspak më e lehtë dhe nuk kontribuon për të mirë në shëndetin e fëmijëve. Ndërsa, si zgjidhje e sheh rregullimin e infrastrukturës në shkolla.

‘’Ҫantat me rrota nuk janë zgjidhje për këtë problem pasi që përsëri fëmija duhet të mbaj pozitën e detyruar në njërën anë, e sidomos në vendin tonë ku infrastruktura rrugore- trotuaret nuk janë në gjendje të mirë. Zgjidhje për këtë problem është rregullimi i infrastrukturës shkollore ku librat do të mbaheshin në shkollë, ndërsa fëmijët do mbanin me vete vetëm librat e domosdoshëm që përdoren për detyrë shtëpie dhe ato mos të kalojnë 10% e peshës trupore’’, përfundon Berisha.

Drejtoresha e shkollës, ‘’Shkolla e Gjelbër’’, Fahrije Latifi-Retkoceri thotë se si shkollë mundohen që sado pak të ua lehtësojnë fëmijëve që të mos bartin shumë libra me vete, mirëpo sipas planprogramit nxënësit detyrohen të ngarkohen me shumë libra.

‘’Ne i kemi disa dollapa që nuk janë të mjaftueshëm për numrin e nxënësve që I ka shkolla.  Çdo fëmijë duhet ta ketë dollapin e vet për t’i lënë pajisjet e veta. Edhe nëse kërkojmë dollapa nga DKA, ata sillen që të përdoren të përbashkët. Ne në shkollë mundohemi që disa libra t’i lëmë në shkollë e disa t’i marrin me vete. Çantat e rënda shkaktohen edhe për shkak të planprogramit  sepse lëndët kanë libra të tepërta. Një lëndë mësimore ka së paku dy-tre libra. Sipas planprogramit na kërkohet që të punojmë me dy ose tri libra gjatë orës mësimore, ne jemi mundu si shkollë me bë një reduktim edhe në planprogram por megjithatë dikund nuk mund ta tejkalon atë.

Drejtoresha përmend edhe një fakt tjetër shqetësuese, ku deklaron se prindërit nuk janë të përkushtuar për ta rregulluar orarin shkollor të fëmijëve të cikleve të ulëta klasore, dhe nxënësit shkojnë në shkollë me orar të pa ndryshuar.

‘’Kemi raste kur prindërit, për shembull ka që një javë fëmijët i bartin librat e njëjtë pa i ndërruar. Ciklit të ulët duhet që prindërit të ju përkushtohen më shumë, të ju rrijnë gati që të mos ua lënë të gjitha librat në çantë por t’I përshtatin në bazë të orarit’’, përfundon Latifi-Retkoceri./Gazeta Observer