Pompeo mbron marrëveshjen SHBA-Meksikë për të shmangur tarifat

Pompeo mbron marrëveshjen SHBA-Meksikë për të shmangur tarifat

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo po mbron marrëveshjen e administratës Trump me Meksikën për të frenuar rrjedhën e emigrantëve të Amerikës Qendrore në kufirin SHBA-Meksikë dhe për të shmangur tarifat ndëshkuese për Meksikën, me të cilat kërcënoi Presidenti Donald Trump.

Kritikët thonë se marrëveshja e së premtes nuk sjell ndonjë të re dhe se iniciativat tashmë po diskutoheshin përpara kërcënimeve të presidentit lidhur me vendosjen e tarifave.

Problemi i emigrantëve të Amerikës Qendrore drejt kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara është trajtuar në një mënyrë të re, thotë Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, në një marrëveshje që "pasqyron diplomacinë në rolin e saj më të mirë".

"Ata që kalojnë kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara për të kërkuar azil do të kthehen menjëherë në Meksikë, ku mund të presin vendimin ndaj aplikimeve të tyre për azil. Kjo është praktikuar edhe më parë; kemi qenë në gjendje ta bëjmë këtë për disa qindra njerëzve në ditë. Tani do të kemi aftësinë ta bëjmë këtë për të gjithë, në një mënyrë që do të sjellë një ndryshim thelbësor për ata që vendosin të kalojnë Meksikën në përpjekje për të hyrë në Shtetet e Bashkuara".

I pyetur se si kjo marrëveshje është e ndryshme nga negociatat e mëparshme, sekretari Pompeo tha se hapësira e marrëveshjes dhe angazhimi nga Meksika këtë herë janë të ndryshme dhe se kjo marrëveshje nuk do të kishte ndodhur pa kërcënimin e tarifave të presidentit. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus.

"Ne presim të shohim një pakësim të ndjeshëm të numrit të emigrantëve në javët dhe muajt e ardhshëm dhe unë do të thosha se qeveria meksikane ishte tepër e sigurtë, se veprimet që po ndërmerrte do të sillnin zvogëlim të madh të numrit të emigrantëve".

Në Shtëpinë e Bardhë më vonë të hënën, një gazetar e pyeti Presidentin Donald Trump për atë që ai e quajti një "marrëveshje të fshehtë" shtesë me Meksikën - pasi Ministri i Jashtëm meksikan Marcelo Ebrard tha se nuk ka marrëveshje përtej asaj që u tha në detaje të premten.

"Kemi një marrëveshje për diçka që ata do ta shpallin shumë shpejt. Është bërë e gjitha. Ata duhet të marrin miratimin e parlamentit, dhe do ta marrin atë. Nëse nuk e marrin miratimin, do të duhet të mendojmë për tarifat apo çfarëdo qoftë. Është vetëm një aspekt tjetër i asaj që kemi arritur. Kjo u bë e gjitha për shkak të tarifave dhe të marrëdhënies që kemi me Meksikën. Kam biseduar dje me Presidentin".

Në një deklaratë të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të premten, Meksika tha se do të vendosë 6,000 anëtarë të Gardës Kombëtare përgjatë kufirit të saj jugor me Guatemalën dhe se të dy vendet do të shqyrtojnë suksesin e veprimeve brenda 45 ditëve. Tarifat do të kishin filluar të hënën, por Presidenti Trump i pezulli ato për një afat të pacaktuar./VoA