Këtë vit, për subvencione janë ndarë 25 milionë euro

Këtë vit, për subvencione janë ndarë 25 milionë euro

Ministria e Bujqësisë edhe këtë vit do të mbështesë me subvencione të gjithë bujqit që aplikojnë dhe i plotësojnë kushtet e parapara për subvencione. Sipas Isuf Cikaqit, drejtor në Departamentin e Politikave Bujqësore, këtë vit, për subvencione janë ndarë 25 milionë euro dhe fermerët mund të aplikojnë deri më 30 qershor.

Shumë bujq u brengosen nëse do të ketë ose jo subvencione këtë vit, por, më 30 maj u hoqën të gjitha dilemat kur Ministria e Bujqësisë hapi thirrjen për aplikime për subvencione. Edhe këtë vit, nga subvencionet do të përfitojnë të gjithë bujqit që i plotësojnë kushtet e parapara në kuadër të programit për pagesa direkte, tha për transmetuesin publik Isuf Cikaqi, drejtor në Departamentin e Politikave Bujqësore.

“Programi i subvencioneve për këtë vit është në vlerë prej 25 milionë, që është i ngjashëm me dy vitet e më hershme. Vlera e mjeteve nuk ka ndryshuar, për fat jo të mirë. Ky program mbështetë tre sektorë kryesorë: sektorin e drithërave, hortikulturës dhe blegtorisë, pastaj brenda këtyre tre sektorëve janë 26 nënsektorë”, tha Cikaqi.

Ministria e Bujqësisë, subvencione do të ndajë për sipërfaqet e mbjella me grurë, elb, thekër, misër, luledielli, vreshta, pemishtet, perime, për krerë të lopëve, deleve, derrave, dhive, pulave vojse, për koshere bletësh, e të tjera. Edhe pse buxheti nuk është rritur, këtë vit janë shtuar tre sektorë të rinj në kuadër të programit për pagesa direkte, thotë Isuf Cikaqi, nga Ministria e Bujqësisë.

“Te sektori i drithërave është shtuar kultura e tërshërës. Sektorë të tjerë që janë shtuar këtë vit janë sigurimet bujqësore, me qëllim që fermerët të sigurojnë kulturat bujqësore në rast të fatkeqësive natyrore. Këtë vit kemi filluar po ashtu edhe me subvencione për kultivuesit e duhanit”, tha ai.

Ministria e Bujqësisë ka ndryshuar edhe formën e subvencionimit të mjedrës. Kultivuesit e saj, tashmë nuk do të subvencionohen për sipërfaqet e mbjella, por për sasinë e mjedrave të prodhuara dhe atë me 8 centë për kilogram.

Subvencionimi i atyre që merren me punimin e tokës dhe veprimtari të ndryshme bujqësore ka filluar në vitin 2009. Afati i fundit për aplikim për subvencione është 30 qershori, e bujqit e interesuar mund të marrin informacionet dhe të aplikojnë në drejtoritë komunale të bujqësisë.

 

Autor: Pajtim Çuni, Radio Kosova