Mbahet punëtori për përmirësimin e shëndetit të grave dhe fëmijëve

Mbahet punëtori për përmirësimin e shëndetit të grave dhe fëmijëve

Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore për gra dhe fëmijë, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me UNFPA-në (Fondi për Popullatë i Kombeve të Bashkuara) , nga viti 2013 ka inicuar procesin pёr auditin e vdekjeve maternale, bazuar në strategjinë globale të OBSh-së “Përtej numrave” (Beyond the numbers).

Në vazhdimësi të këtij procesi në Prishtinë është mbajtur punëtoria teknike me pjesëmarrje të konsulentëve ndërkombëtarë për auditin maternal - Sistemi i observimit dhe reagimit obstetrik (SORO).

Duke përshëndetur pjesëmarrësit në këtë punëtori, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Naum Bardiqi, tha se punëtoria ka për qëllim zhvillimin e Sistemit të Observimit dhe Reagimit Obstetrik, (SORO)  i cili padyshim është proces që do të ndikoj në përmirësimin e kujdesit maternal në Kosovë.

“Shëndeti i nënës dhe fëmijës mbetet ndër prioritetet më të rëndësishme të Ministrisë së Shëndetësisë për faktin se kjo është një fushë e rëndësishme për të ardhmen e shëndetshme të popullsisë  së çdo vendi, sepse jemi të bindur që një shoqëri që ka nënat dhe fëmijët e shëndoshë e ka edhe të ardhmen e sigurtë”. Dëshmia më e mirë e përmirësimit të cilësisë së shërbimeve, theksoi Sekretari,  janë indikatorët e përmirësuar të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së nënave apo trendi i ndryshimit pozitiv dhe të qëndrueshëm të tyre.

Dr. Zarife Miftari nga UNFPA tha se kjo organizatë do të vazhdojë të kontribuojë për të përmirësuar shëndetin e nënës në Kosovë, duke ofruar mbështetjen e nevojshme për MSh në procesin e zhvillimit dhe zbatimin e SORO si dhe për zhvillimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike në këtë fushë.

Punëtoria është udhëhequr nga Dr. Mihai Horga, këshilltar i lartë në Institutin e Evropës Juglindore për Shëndetin riprodhues.

Gjatë punëtorisë pjesëmarrësit dhe akterët kryesorë në fushën e shëndetit riprodhues në Kosovë janë pajtuarpër hapat konkret në zbatimin e SORO në Kosovë.