Administrata e Gjykatave dhe Prokurorive do të hyjë në grevë

Administrata e Gjykatave dhe Prokurorive do të hyjë në grevë

Rreth një vit pasi që kishte marr vendim për pezullimin e grevës, Sindikata e Pavarur e Judikaturës e Kosovës (SPJK), ka njoftuar se sërish do t’i rikthehet të njëjtit veprim sindikal.

Kjo sindikatë, ka njoftuar se nga 1 korriku i këtij viti, administrata e Gjykatave dhe Prokurorive, do të hyjë në grevë të përgjithshme në nivel vendi.

Për një gjë të tillë, kjo sindikatë ka njoftuar nëpërmjet një njoftimi, pas mbledhjes së kryesisë që thotë se e ka mbajtur më 6 qershor dhe në të cilën është vendosur që ndërpritet pezullimi i grevës së vitit të kaluar.

Sipas kësaj sindikate, një veprim i tillë sindikal, ka ardhur si rezultat i mos përmbushjes së marrëveshjes me organet kompetente, ku përveç Këshillit Prokurorial, me të cilin ishin zhvilluar disa takime, asnjë drejtor, kryesues apo udhëheqës i institucioneve, nuk i ishte përgjigjur ftesës së tyre.

“SPJK-ja ka marrë vendim që administrata e Gjykatave dhe Prokurorive në Republikën e Kosovës, të aktivizoj grevën e pezulluar, e cila pritet të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave, ku ndër të tjera kërkohet që administrata e Gjykatave dhe Prokurorive të përfshihen si nëpunës civil me status të veçantë, që punëtorët e Administratës së Gjykatave dhe Prokurorive, për dallim nga shërbyesit e tjerë të kenë koeficient në vlerë prej 25%, që të zbatohet vendimi i Kryeministrit për pagesat e shtesës të përcaktuar me vendim, dhe atë në mënyrë retroaktive duke filluar nga muaji janar 2017, deri në gusht 2018, etj”, thuhet në njoftimin e kësaj sindikate.

Ndryshe, vitin e kaluar greva e punëtorëve të Gjykatave dhe Prokurorive kishin hyrë në grevë më 4 korrik, e cila kishte zgjatur deri më 11 korrik.

Pezullimi i kësaj greve pas gjashtë ditësh, ishte mundësuar pasi që ishte arritur marrëveshje, pas një takimi që përfaqësuesit e këshillit grevist kishin pasur me përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial, kryetarët e Gjykatave Themelore si dhe kryeprokurorët e Prokurorive Themelore, ku kishte marr pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Kemi arrit një marrëveshje që të gjitha kërkesat tona të realizohen. Këto kërkesa kemi marrë premtim se do të realizohen brenda muajit. Kjo është pezullim i grevës dhe jo ndërprerje, derisa të realizohen kërkesat tona. Nëse nuk realizohen shumë shpejt kërkesat tona, greva do të rifillojë”, kishte thënë kryetari i Sindikatës së Judikaturës, Asllan Rusinovci.

Edhe përfaqësues të KGJK-së, kishin deklaruar se pas arritjes së marrëveshjes, grevistëve do t’u plotësoheshin kërkesat që kishin.

Gjatë kohës sa kishte zgjatur greva, qindra seanca gjyqësore kishin dështuar të mbaheshin në të gjitha gjykatat e vendit. Vetëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për çdo ditë kishin dështuar të mbaheshin mbi 100 seanca gjyqësore, përfshirë edhe ato të korrupsionit.

Kurse, dhjetëra seanca për çdo ditë, si pasojë e grevës ishin pamundësuar edhe në të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës.

Nga greva ishin përjashtuar vetëm rastet e paraburgimeve, të dhunës në familje si dhe rastet të shënjestruara për liberalizimin e vizave. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi