Kryeministri japonez synon përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Iran

Kryeministri japonez synon përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Iran

Kryeministri japonez, Shinzo Abe ka arritur në Teheran në një vizitë, që ai shpreson se do të ndihmojë në uljen e tensioneve në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Abe pritet të takohet me presidentin iranian, Hasan Rohani dhe liderin suprem, Ayatollah Ali Khamenei, gjatë një vizite në Iran, njëherësh e para e një kryeministri japonez në detyrë, në më shumë se katër dekada.

Teherani ke tensionuar marrëdhëniet me Uashigtonin, prej kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 në mes të Iranit dhe fuqive botërore.

Prej asaj kohe, Uashingtoni ka rivendosur sanksione ndaj Iranit, ka ashpërsuar retorikën dhe ka rritur prezencën në Lindje të Mesme, duke rritur shqetësime për ndonjë konflikt të armatosur.

Para se të nisej nga Tokio, Abe ka cituar “shqetësime për rritje të tensioneve në rajonin e Lindjes së Mesme”, transmeton REL.

“Japonia dëshiron të bëjë sa më shumë që është e mundshme për të arritur paqe dhe stabilitet në rajon”, ka thënë ai.

Tokio është një nga aleatët më të ngushtë të SHBA-së në Azi, si dhe ka marrëdhënië të mira me Teheranin.

Mirëpo vëzhguesit kanë shprehur shqetësim rreth rezultatit që mund të arrijë Abe, duke thënë se vizita e tij vetëm mund t’ia rrisë imazhin kryeministrit japonez pak para mbajtjes së zgjedhjeve në parlamentin e Japonisë.

Zyrtarët iranianë janë cituar të kenë thënë se Teherani planifikon t’i kërkojë Japonisë që të jetë ndërmjetësuese në mes të Teheranit dhe Uashingtonit, për të hequr sanksionet amerikane ndaj naftës iraniane.

Zyrtarët amerikanë në anën tjetër kanë thënë se Uashingtoni është i hapur për dialog me udhëheqësinë iraniane, mirëpo kanë thënë se edhe forca mbetet mundësi.