"Kosova është zhvilluar, do të vazhdojmë bashkëpunimin aq sa ka nevojë"

"Kosova është zhvilluar, do të vazhdojmë bashkëpunimin aq sa ka nevojë"

Trupat e Karabinierëve Italianë tash e 20 vjet janë duke kontribuuar për sigurinë dhe ndërtimin social në Kosovë, dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë këtu për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Kështu tha në një intervistë për Radio Kosovën komandanti i Njësitit të Specializuar-Karabinieri, kolonel Ruggerio Capodivinti. Ai tha se kanë një bashkëpunim të mirë me qytetarët dhe me të gjitha institucionet, ndërsa ka veçuar bashkëpunimin me Policinë e Kosovës.

RADIO KOSOVA: Z. kolonel Ruggerio Capodivinti, Trupat e Karabinierëve këtë vit shënojnë përvjetorin e 205 të themelimit. Si e vlerësoni dhe si ndiheni në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm të institucionit të Karabinierëve?

Kolonel Ruggerio Capodivinti: Si çdo vit tjetër edhe sivjet Karabinierët kanë festuar ditëlindjen e vet, e që këtë vit janë mbushur 205, që është shumë e rëndësishme për ne. Për mua personalisht dhe bashkëpunëtorët e mi është shumë i rëndësishëm festimi i këtij përvjetori në Kosovë.

RADIO KOSOVA: A mund të na sqaroni  më hollësisht konceptin e njësisë së specializuar shumëkombëshe “Karabinieri” dhe rolin e tyre në Kosovë?

Kolonel Ruggerio Capodivinti: Roli i MSU në Kosovë është shumë specifik, sepse njësitet shumëkombëshe të specializuara menjëherë pas lufte filluan misionin e tyre si forcë ushtarake por me karakteristikat e një force policore.

RADIO KOSOVA: Karabinierët në kuadër të zyrës për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak ndihmojnë edhe popullatën civile. Në cilat fusha shtrihet ky bashkëpunim?

Kolonel Ruggerio Capodivinti: Një ndër aktivitetet tona, e që jemi krenarë, është edhe bashkëpunimi me Zyrën për Marrëdhënie Civilo- Ushtarake brenda KFOR-it, dhe në këtë mënyrë ne e ndihmojmë popullin e Kosovës. Ekipet tona vizitojnë çdo ditë familjet e varfra anekënd Kosovës dhe u ndihmojnë me ushqime dhe gjera të ndryshme. Kemi edhe fonde që vijnë nga Italia dhe ato ndihma kryesisht orientohen nëpër shkolla dhe spitale.

RADIO KOSOVA: Cili është misioni i tanishëm i Karabinierëve,     duke pasur parasysh edhe ndryshimet që janë bërë në Kosovë ?

Kolonel Ruggerio Capodivinti: Sot misioni ynë është i përqendruar në qytetin e Mitrovicës, ku bëjmë roje dhe patrullime 24 orë. Por kemi edhe patrullime të tjera në tërë Kosovën. Ndërsa në kohën kur institucionet e Kosovës ishin ende të pa konsoliduar, atëherë ne bënim punën e policisë. Mirëpo me konsolidimin e institucioneve të Kosovës Karabinierët në kuadër te KFOR-it kanë ndihmuar Policinë e Kosovës në mënyra të ndryshme. Duke e bërë më operative dhe funksionale. Ne nuk patrullojmë në kufi, për këtë është Policia e Kosovës, por ne vizitojmë dhe patrullojmë rreth objekteve të ndryshme fetare dhe kulturore.

RADIO KOSOVA: Në çfarë operacionesh, ose më mirë të themi në cilat fusha Karabinierët e mbështesin FSK-në?

Kolonel Ruggerio Capodivinti: Njësitet tona të Karabinierëve ndihmojnë Policinë e Kosovës me kurse dhe trajnime të ndryshme. Gjatë  vitit  kemi organizuar katër kurse të  ndryshme,duke përforcuar kapacitetet e tyre në punë dhe efikasitetin gjithashtu. Në këto kurse instruktorët tanë kanë ardhur nga Italia duke bërë kursin me special, siç është hetimi dhe verifikimi i vendit të ngjarjes. Gjithashtu është bërë edhe kursi për hetimin e krimit kibernetikë.

RADIO KOSOVA: A  keni trajnime të përbashkëta me FSK dhe Policinë e Kosovës?

Kolonel Ruggerio Capodivinti: Jo, nuk kemi pasur aktivitete të përbashkëta me FSK-ën. Ata janë më shumë në bashkëpunim me forcat e armatosura të Italisë. Ndërkaq korrespodenca jonë më shumë është Policia e Kosovës. Policia është shumë e kënaqur me kurset tona, sepse ne i zhvillojmë në nivel të lartë profesional.

RADIO KOSOVA: Cili është vizioni në të ardhmen për MSU?

Kolonel Ruggerio Capodivinti: Nuk është lehtë të përgjigjem në këtë pyetje. Kosova qe 20 vjet është zhvilluar me hapa të shpejtë, nuk ka munguar ndihma e Karabinierëve dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare në Kosovë. Shpresoj që në të ardhmen kushtet do të përmirësohen për të gjithë. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin deri sa ju të keni nevojë dhe do të qëndrojmë këtu dhe të punojmë në zhvillimin e vendit.

RADIO KOSOVA: Si e vlerësoni 20 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimin e Kosovës?

Kolonel Ruggerio Capodivinti: Është diçka shumë e rëndësishme ajo çfarë kemi bërë këtu dhe besoj, që ka qenë pikënisje e mbarë.

Autor: Mejreme Tahirukaj, Radio Kosova