FFK sqaron “incidentin” në ndeshjen Kosova – Turqia

FFK sqaron “incidentin” në ndeshjen Kosova – Turqia

Përfaqësuesja e Kosovës U21 ka fituar me rezultat 3:1 në ndeshjen ndaj Turqisë.

Mysafirët, konkretisht trajneri Vedat Incefe, është ankuar se dikush e ka sulmuar portierin e tyre, ndërkohë që në Federatën e Futbollit të Kosovës deklarojnë se rasti është ekzagjeruar.

“Nuk mund ta pranoj sulmin ndaj lojtarit tim. Një person i sigurimit e ka shtyrë, e ka futur brenda e ka rrahur me grushte portierin. Kërkoj të dijë pse ndodhi kjo? Është e pafalshme. Ku shkoi vëllazëria mes Kosovës dhe Turqisë? Pse duhet të ndodhë? Më gjeni personin që e bëri këtë”, ishin fjalët e trajnerit.

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, i kontaktuar nga Insporti, është shprehur: “Në të gjitha ndeshjet ndërkombëtare ne jemi dëshmuar si mikpritës shumë të mirë dhe kështu ishte edhe me Turqinë. Rasti në fjalë është ekzagjeruar dhe po e përsëris se ne kemi ofruar mikpritje për çdo mysafir që ka ardhur në Kosovë. Kemi raporte të shkëlqyeshme me Federatën e Futbollit të Turqisë dhe me Turqinë në përgjithësi si shtet mik i Kosovës”, ka thënë Salihu.

Fitorja ndaj Turqisë ishte e dyta për Kosovën në po aq ndeshje dhe aktualisht e kryeson grupin me 6 pikë.