LDK: Pse nuk e ftuat kryetarin dhe ish kryeministrin Mustafa?!

LDK: Pse nuk e ftuat kryetarin dhe ish kryeministrin Mustafa?!

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur habinë se si kryetari i saj, ish-kryeministri Isa Mustafa nuk është ftuar të merrte pjesë në ceremoninë zyrtare, që u mbajt të mërkurën në sheshin “Skënderbeu”, ku ishin të ftuar shumë personalitete dhe figura të rëndësishme, mes tyre edhe ish-Presidenti Klinton dhe ish-sekretarja Ollbrajt.

Zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa, i tha Radio Kosovës se nuk kanë ndonjë shpjegim pse ish-kryeministri Mustafa dhe lideri i partisë më të madhe në opozitë, nuk është ftuar! Ai theksoi se LDK-ja kishte heshtur dje për të mos e prishur hijeshinë  e atmosferës festive për 20-vjetorin e çlirimit:

“Është e çuditshme për LDK-në që nuk ka pranuar as një ftesë në emër të zotit Mustafa, as në cilësinë e kryetarit të LDK-së dhe as në cilësinë e ish-kryeministrit të Kosovës. Ne nuk donim ta bënim temë dje këtë çështje pasi kishim figura të rëndësishme publike ndërkombëtare si ish-Presidenti Klinton, apo ish-sekretarja e shtetit Ollbrajt. Do të ishte e udhës që organizatorët të japin një shpjegim se pse ka ndodhur kjo!”, është shprehur për Radio Kosovën, zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa. / Fadil Gashi