VIDEO-Thaçi: Rruga drejt NATO-s nuk do të jetë e lehtë, por është e sigurt

VIDEO-Thaçi: Rruga drejt NATO-s nuk do të jetë e lehtë, por është e sigurt

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 20- vjetorit të çlirimit i është drejtuar ushtarëve në kazermën “Adem Jashari” .

Presidenti Thaçi në adresimin para ushtarëve  tha se sot është një kënaqësi e veçantë të jetë në mesin e tyre. 

“Në këtë ditë të veçantë për shtetin e Kosovës  kur shënojmë 20- vjetorin e lirisë, sot kujtojmë të gjithë dëshmorët, kujtojmë komandantin legjendar,  Adem Jasharin, kujtojmë sakrificën e popullit të Kosovës, shënojmë kthimin e 1 milion qytetarëve në shtëpitë e tyre dhe mbylljen e kapitullit të tragjedive dhe vuajtjeve, hapjen e kapitullit të shpresës dhe angazhimit për një jetë më të mirë”, tha presidenti Thaçi, raporton RTKlive.

Gjatë fjalimit të tij, presidenti Hashim Thaçi e vlerësoi lartë punën dhe angazhimin e të gjithë ushtarëve të FSK-së. “Nga aspiratat dhe angazhimi i popullit për liri keni lindur edhe ju, e kishim UÇK-në e transformuam në Trupë Mbrojtëse të Kosovës, e themeluam Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe para pak muajve e morëm vendimin historik për themelimin e Ushtrisë së Kosovës”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se FSK-ja është forcë profesionale e standardeve të NATO-s, forcë që më së miri pasqyron atë që e kemi arritur së bashku. Thaçi tha se rruga drejt anëtarësimit në NATO nuk do të jetë e lehtë, por do të jetë e sigurt. “E gëzofshim lirinë”, përfundoi Thaçi.

Presidenti Thaçi i shoqëruar nga ministri mbrojtjes Rrustem Berisha dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtnant, Rrahman Rama kanë bërë homazhe edhe pran obeliskut në nderim të të rënëve dhe gjithë dëshmorëve të kombit për lirinë dhe pavarësinë  e vendit.


MË SHUME NGA Aktuale