​PriFest hap thirrjen për pjesëmarrje në trajnime për filmbërës

​PriFest hap thirrjen për pjesëmarrje në trajnime për filmbërës

Festivali Ndërkombëtar i Filmit - PriFest këtë vit është pjesë e projektit Youth Artivists for Change, projekt ky regjional i përkrahur nga Qeveria Holandeze.

PriFest nëpërmjet një komunikate thotë se merr pjesë në këtë projekt në kuadër të programit të vet të filmit Let It Be që është krijuar tanimë 5 vite në festival dhe ka për qëllim përkrahjen e komunitetit LGBTIQ, rritjen e tolerancës, informimin e publikut përmes filmit me qëllim promovimin e të drejtave të njeriut, barazinë gjinore dhe të drejtat e komunitetit LGBTIQ.

“Këtë vit PriFest, përveç shfaqjes së filmave me temë LGBTI, do të ofrojë edhe një seri aktivitetesh tjera. Njëri nga aktivitetet është trajnimi për filmbërësit në zhvillimin e ideve të tyre filmike si dhe avancimi i njohurive të tyre rreth filmbërjes dhe artit visual. Përmes trajnimeve të ndryshme nga ekspertë të shumtë të kinematografisë ndërkombëtarë dhe vendore, filmbërësit e rijnë do të inkurajohen për t`u avancuar më shumë në sferën e kinematografisë. Gjatë gjithë trajnimit, pjesëmarrësit do të mësojnë gjithçka rreth filmbërjes, duke filluar nga njoftimi me projektin Youth Artivists for Change, mundësitë e financimit brenda projektit për të realizuar filmat e tyre, editimin e filmit, shkrimin e skenarit etj. Me marrjen e njohurive gjatë trajnimeve dhe ushtrimeve, pjesëmarrësit do të realizojnë idetë e tyre në një film”, thuhet në komunikatë.

Sipas PriFest, ky trajnimi do të organizohet gjatë kohës së festivalit PriFest nga data 17 deri më 20 korrik, dhe ka për qëllim promovimin e të drejtave të njeriut, barazinë gjinore dhe të drejtat e komunitetit LGBTIQ.