Llumnica ka mohuar se kishte qenë pjesë e organizatës “Syri i Popullit”

Llumnica ka mohuar se kishte qenë pjesë e organizatës “Syri i Popullit”

Të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka filluar dhënia e mbrojtës së të akuzuarve në rastin njohur si “Syri i Popullit”, ku dhjetë persona po akuzohen për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, për vrasje të rëndë në tentativë si dhe vepra të tjera penale.

Në këtë rast të akuzuar janë Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana.

I akuzuari për ndihmë në hakmarrje, vepra kundër rendit kushtetues dhe për veprën penale të dhunimit, Avni Llumnica ka mohuar se kishte qenë pjesë e organizatës “Syri i Popullit”.

Llumnica tha se për këtë organizatë kishte dëgjuar pasi që kishte hyrë në burg dhe ka informata për të, po aq sa kanë mediat dhe gjykata.

Ai gjithashtu ka mohuar se kishte pasur për qëllim hakmarrjen ndaj avokatit Azem Vllasi, i cili në mars të vitit 2017, ishte sulmuar dhe pretendohet se ishte qëlluar me armë zjarri nga i akuzuari Murat Jashari.

Sipas Llumnicës, ai së bashku me të akuzuarin Jashari, më 6 mars të vitit 2017, kishin udhëtuar nga Zvicra në Kosovë.

Ai tha se me Jasharin kishin shkuar së bashku në një lokal të quajtur villa “Panorama”, në Zllatar, në afërsi të Prishtinës, e aty Jashari sipas tij, ishte takuar me të akuzuarin tjetër Sadri Ramabaja.

Ai tha se ata kishin biseduar përderisa kishin qëndruar në lokal, mirëpo assesi nuk kishin biseduar për Azem Vllasin, apo diçka kundër tij.

“Nëse dikush do të fliste diçka të tillë unë vetë do të reagoja se kam pas çka të flas për Azem Vllasin, por nuk është biseduar për të asnjëherë”, tha Llumnica.

Ai tha se më 13 mars, kur kishte ndodhur atentati ndaj Azem Vllasit, Jashari e kishte thirrur në telefon, e Llumnica tha se ishte habitur se ku e kishte marrë numrin e tij.

Llumnica shtoi se më 10 mars 2017, Sabit Berisha e kishte sjell Murat Jasharin te shtëpia e tij, e Jashari kishte kaluar një natë tek Llumnica.

Sipas Llumnicës, ai si “gyrbetqar”, e kishte mirëpritur Jasharin për një natë, e më pas sipas tij, Jashari kishte qëndruar në një motel “Fontana”, ku vetë i akuzuari Llumnica tha se i kishte paguar natën e parë në atë vend.

Llumnica tha se e kishte dërguar Jasharin në motel pasi që kishte pasur të shkonte në “Gorenje”, për të blerë diçka dhe e kishte ofruar të njëjtin në vendin ku ai qëndronte.

“Unë e kom çu Muratin deri te “Fontana” dhe kom pas me hy deri në banjo e kom hi brenda, në atë moment ka trokit dikush në derë dhe kur e kam hap ka qenë një grup njerëzish me kamera, e unë mënova se kanë ardh me marrë intervistë me Muratin se e di qe merret me libra, por me pas e pash se ata kishin qenë policë”, tha Llumnica.

Për takimin e mbajtur në “Villa Panorama”, Llumnica tha se kishte dëgjuar bisedën e zhvilluar mes Ramabajës dhe Jasharit, mirëpo nuk kishte dëgjuar diçka të keqe, e aq më pak bisedë për Azem Vllasin.

“Unë e kam dëgju muhabetin e tyre, po të kishte diçka, si kureshtje normal që do e thoja edhe unë ndonjë gjë, por unë jam i sigurt se nuk e kanë përmendur Azem Vllasin, as fjalën vrasje se kam dëgju”, tha Llumnica.

Ai shtoi që më pas të akuzuarin Ramabaja e kishin përcjell në shtëpi së bashku me Jasharin me veturë dhe asgjë më tepër.

Ai tha se kur ishte nisur për Kosovë, në muajin mars të vitit 2017, së bashku me Murat Jasharin, e kishin thirrur në telefon për t’i thënë se bashkëshortja e shefit të tij ishte sëmurë dhe duhet të kthehej përsëri.

“Unë se besoj se Murati e ka ditë se unë duhet me u kthy menihere, por me të e kemi diksutu se qysh jem ardh edhe mu kthy nëse na përshtaten senet”, tha Llumnica.

Ai tha se jeton që nga vitit 1990 në Zvicër dhe se në Kosovë kishte ardhur shumë shpesh para se të arrestohej.

Krejt në fund, Llumnica tha se është shumë keq se e kanë mbajtur kaq gjatë në paraburgim, duke shtuar se është i sigurt se asnjë veprim i tij nuk ka mundësi të ketë rënë në konfrontim me ligjin.

“Se çfarë mund të mendojnë, thonë apo paragjykojnë të tjerët, unë nuk marrë përgjegjësi për veprimet hetimore të prokurorit apo kujt do qoftë, unë përgjegjësi mbajë për veprime të mija shkrime të mija”, tha Llumnica.

Ai tha se nuk ka ndonjë mendim për Presidentin e vendit e të tjerët, por ai tha se dallon nga udhëheqësit për shkak të keqpërdorimit që e bëjnë në shtet, sepse sipas tij, ai që keqpërdor me çdo gjë në vend edhe vëlla i tij, po të ishte nuk do ta donte.

Ai tha se për listën për likuidim nuk ka dëgjuar dhe se ai është si “Nenë Tereza që s’i ka bërë keq asnjë personi në jetë”.

Lluminca tha se është pro bashkimit kombëtar, duke krijuar një organizatë që do të lobonte në këtë pjesë dhe duhet të ketë shtyllat e shtetit të forcuara.

Pjesën ku i njëjti do të jap mbrojtjen për veprën penale “dhunimi”, seanca nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica do të mbyllet për publikun.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana për vepra të ndryshme penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë, Llumnica akuzohet se ka kryer veprën penale “ hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 I KPRK-së.

Llumnica sipas kësaj aktakuzë sa ishte në Qendrën e paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z  duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.

Llumnica akuzohet për veprën penale “dhunim” nga neni 230 i KPRK-së.

Të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe  vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Ndërsa, i pandehuri Murat Jashari thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.

Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 I KPRK-së.

I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë.

Ndërsa, Murat Jashari nga PSRK-ja, është duke u ngarkuar për veprat penale “hakmarrja” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria pretendon se Jashari, duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar  dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privojë nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 191 dhe çështjes kombëtare.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Jashari, fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.

Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën Jasharit dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, Jashari kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës por Jasharit iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për tu takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në motel “Fontana”, në Veternik.

Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te Jashari ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi