Biden përfiton nga fokusi i demokratëve mbi presidentin Trump

Biden përfiton nga fokusi i demokratëve mbi presidentin Trump

Zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ende janë larg, por Presidenti Donald Trump duket se ka vënë në shënjestër kandidatin demokrat Joe Biden, i cili udhëheq në anketat e demokratëve. Rreth njëzet kandidatë të tjerë demokratë gjithashtu po përqëndrojnë energjitë kundër zotit Biden, vetëm pak javë para fillimit të debateve të para televizive mes kandidatëve demokratë.

Zëri i Amerikës, njofton mbi zhvillimet e fundit në fushatën presidenciale të vitit 2020.

Në Ajova, shteti i parë i votimit në zgjedhjet paraprake, kandidati demokrat me mbështetjen më të madhe në anketa, Biden nuk shpenzoi shumë kohë para se të fillonte kritikat ndaj Presidentit Trump.

"Ky njeri (Presidenti Trump) bën gjithçka për të përçarë dhe frikësuar njerëzit. Mesazhi i tij ka të bëjë me frikën dhe urrejtjen. Ai përdor epitete të ndryshme për të përshkruar njerëzit, asnjë president nuk e ka bërë diçka të tillë. Dua të them se kjo është e çuditshme dhe e dëmshme".

Zoti Biden është me sa duket në mendjen e Presidentit Trump, ndërsa po shqyrton rivalët e mundshëm për vitin e ardhshëm.

"Joe nuk merr më shumë se një për qind të votave, por Obama e mori atë nga grupi i të refuzuarve. Tani ai duket se po dështon. Duket se miqtë e tij nga e majta do ta tejkalojnë atë shpejt. Por e gjithë fushata e tij është e ankoruar në goditjet ndaj zotit Trump."

Sondazhet tregojnë se zoti Biden kryeson fushatën presidenciale të demokratëve, i pasuar nga senatori nga Vermonti, Bernie Sanders.

Në mesin e kandidatëve me mbështetje në rritje është senatorja nga Masaçusetsi, Elizabeth Warren me një fokus specifik të politikave dhe pasionit.

"Për çështjen e dhunës me armë, unë do të jem e patrembur. Ne do të luftojmë krah për krah dhe do t'i mbrojmë fëmijët tanë!"

Një kandidat tjetër me rritje të mbështetjes është kryebashkiaku i South Bendit, Pete Buttigieg, i cili i ofron partisë një alternativë më të re.

"Mendimet e reja, veprimet e guximshme dhe një fokus në të ardhmen. Unë po kandidojë për president për shkak të seriozitetit që kërkon momenti në të cilin po jetojmë."

Trump është bërë çështja kryesore në fushatën e zgjedhjeve paraprake të demokratëve, nga e cila duket se është duke përfituar Joe Biden, thotë analisti Larry Sabato.

"Shumica e sondazheve tregojnë se, mbi të gjitha, votuesit duan një kandidat që do të fitonte ndaj Presidentit Trump. Ata janë të gatshëm të mbështesin një kandidat me të cilin nuk pajtohen në një numër çështjesh, sepse në fund pikëpamjet e tyre janë më të afërta me ato të kandidatit të tyre sesa me ato të Presidentit Trump".

Sondazhet e fundit tregojnë se Joe Biden ka një epërsi të madhe ndaj Presidentit Trump.

Por presidenti është gati t’i etiketojë të gjithë kandidatët demokratë si politikanë me së majtës së skajshme.

"Çdo ditë, Partia Demokrate po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme dhe më ekstreme. Ata janë duke u çmendur. A ju pëlqen kjo? Mua disi më pëlqen kjo."

Presidenti Trump shpreson që demokratët do të emërojnë një kandidat të së majtës së skajshme, thotë analisti Larry Sabato.

"Republikanët dhe Presidenti Trump duan t’i bëjnë demokratët që të kenë vetëbesim të madh. Nëse kjo ndodh, atëherë ata kanë më shumë gjasa të propozojnë një kandidat që është nga e majta e skajshme, duke i kënaqur aktivistët demokratë, por pothuajse duke garantuar një humbje në nëntor të vitit 2020. Pra, kjo është axhenda e fshehur për të cilën flitet në kampin e Presidentit Trump."

Fushata për zgjedhjet e vitit 2020 kalon në një fazë të re më vonë këtë muaj me debatet e para zyrtare mes 20 kandidatatëve presidencialë të demokratëve./VoA