Dy muaj pas zjarrit, zhbëhen premtimet për Notre Dame

Dy muaj pas zjarrit, zhbëhen premtimet për Notre Dame

Kur kanë kaluar dy muaj nga zjarri që më 15 prill shkatërroi Notre Dame-n, për të parën herë është mbajtur një meshë në katedralen pariziene. Mesha sidoqoftë, është e rezervuar për pak persona, të gjithë me kaska sigurie në kokë, sepse struktura është akoma e rrezikshme.

Punimet vazhdojnë me ritme të ngadalta edhe sepse, pavarësisht deklarimeve të ditëve të para, nga 850 milionë eurot e premtuara, kanë ardhur vetëm 9 për qind, ose një shifër ekuivalente me rreth 80 milionë euro. Dhe pak nga këto para vijnë nga sipërmarrësit e mëdhenj që kishin nxituar të shpalosnin shifra në ditët pas katastrofës, transmeton TCH.

Nga Fransua Pino, shefi i grupit kering e deri tek Bernard Arno, president i grupit Louis Vuitton, shumë bamirës kishin premtuar fonde për rindërtimin. Por për momentin, të vetmit që kanë konkretizuar çka kanë thënë janë privatët që kanë dhuruar sasi modeste parash apo kanë dhënë ceqe.

“Pagesat do të bëhen ndërkohë që punimet vazhdojnë”, deklarojnë nga grupi Arno, duke shpjeguar se paratë do të derdhen vetëm kur të mbyllen garat e projekteve. Por, bamirësit e mëdhenj nuk arrijnë sidoqoftë të clirohen nga kritikët që i gjykojnë premtimet e tyre vetëm një strategji për marketing. Presidenti emanuel macron ka siguruar se në pesë vite ndërtimet do të përfundojnë, por për momentin gjithçka po ecën shumë ngadalë.