Hoxha: Kosova ka zgjedhur rrugën e integrimit evropian

Hoxha: Kosova ka zgjedhur rrugën e integrimit evropian

Për Kosovën, Procesi i Integrimit Evropian nuk është një alternativë, por është rruga që ne kemi zgjedhur dhe ne duhet të kryejmë detyrat tona për të shënuar progres.

Kështu tha ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në takim me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ambasadorët e vendeve të BE-së, ministrat e Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues tjerë, në diskutimin rreth Raportit për Vendin 2019.

Hoxha e cilësoi Raportin si avancim në procesin integrues, dinamikën e të cilit e konsideron se do të duhej përshpejtuar.

Ministrja Hoxha njoftoi të pranishmit se Ministria që ajo drejton menjëherë pas publikimit të Raportit për Vendin kishte ndërmarrë hapat e nevojshëm duke identifikuar të gjitha mangësitë, boshllëqet dhe rekomandimet e Raportit për Vendin duke ua përcjellë ato institucioneve përgjegjëse për veprime të mëtutjeshme dhe menjëhershme. Po ashtu, Ministrja Hoxha, njoftoi të pranishmit për takimin që kishte pasur me Kryeministrin Haradinaj në formatin e takimit të Këshillit Ministror për Integrime Evropiane (KMIE) më 3 qershor 2019, për të diskutuar mbi të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit si dhe adresimin e tyre nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Më tej, ministrja e Integrimit informoi të pranishmit se për Raportin për Vendin kishte raportuar i) para Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian (KPIE), ii) kishte organizuar dhe një konferencë për media për të informuar qytetarët mbi gjetjet e Raportit, si dhe kishte organizuar takimin e rregullt të Nënkomisionit për Drejtësi, Liri dhe Siguri (strukturë e MSA-së) ku ishin trajtuar në detaje arritjet dhe sfidat që duhet adresuar në fushën e Sundimit të Ligjit dhe Sigurisë në përgjithësi.

“Ne planifikojmë të mbajmë mbledhje mujore të Këshillit Ministror për Integrim Evropian (KMIE), për të monitoruar zbatimin e gjetjeve dhe rekomandimeve që rrjedhin nga Raporti për Vendin”, theksoi Ministrja Hoxha duke vënë në dukje se mbetemi të përkushtuar për të kapërcyer sfidat dhe vështirësitë, institucionet të reflektojnë për Raportin dhe të vijnë me koordinimin më të mirë, bashkëpunimin dhe afatet fikse ku nuk ka vonesa.

Krejt në fund Hoxha shprehu përkushtimin e saj në dinamizimin e mëtejmë të Procesit të Integrimit Evropian në të gjitha drejtimet e mundshme me qëllim të avancimit të mëtejmë në këtë proces të pa-alternativë për Kosovën.

Autor: RTKlive


MË SHUME NGA Aktuale