Ferizaj gati për të mirëpritur bashkëatdhetarët

Ferizaj gati për të mirëpritur bashkëatdhetarët

Gjendja e sigurisë në territorin e Ferizajt është e qetë dhe stabile.

Ky konstatim doli në mbledhjen e sotme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi. Në forumin më të lartë të sigurisë në nivel lokal, që u kryesua nga nënkryetari i Komunës, Naim Ferati, u diskutuan sipas Planit të Punës së këtij mekanizmi, një varg çështjesh duke përfshirë riintegrimin e personave të riatdhesuar, masat për trajtimin e qenve endacak, kontrollin dhe trajtimin e lëmoshkërkuesve, organizimin institucional për mirëpritjen e mërgimtarëve, sigurinë në shkolla, angazhimin në parandalimin e dukurive negative në shkolla përmes mekanizmave të kontrollit në shkollë si dhe luftimin e narkomanisë në shkolla dhe hapësira publike.

Me gjithë përparimet në këto fusha, rritjen e kontrollit dhe kujdesit shtetëror, u nxorën në pah edhe sfidat të cilat me një koordinim më të mirë ndër-institucional do të eliminoheshin tërësisht. Theks të veçantë, pati diskutimi mbi trajtimin e lëmoshkërkuesve nga ku u nxor përfundimi se në të ardhmen e afërt do të zgjerohet përbërja e kompetentëve lokal, për ta hartuar një plan të mirëfilltë që do ta trajtoj këtë problematikë. Tjetër, nga prezantimi i nënkryetarit të Komunës, Naim Ferati mbi këto tema, vëmendje dhe kujdes të veçantë pati edhe organizimi institucional për mirëpritjen e bashkëatdhetarëve.

Nënkryetari Ferati tha se Komuna e Ferizajt ka marr të gjitha masat në kompetencën e saj për të mundësuar një ambient të përshtatshëm gjatë periudhës së pushimeve në vendin tonë të mërgimtarëve, duke u ndalur në programin kulturor përgatitur enkas për mërgimtarët si dhe masat në trafik së bashku më Policinë e Kosovës, për qarkullimin pa pengesa gjatë këtyre muajve të verës.

Për sigurinë në shkolla dhe gjithë mekanizmin e kontrollit, arritjet në këtë drejtim i theksoi vet i pari i arsimit ferizajas, Afrim Llabjani. Ai shtoi se qeverisja lokale është e interesuar dhe ka vullnetin e hekurt që të garantoj ambient të përshtatshëm për të zhvilluar procesin edukativo-arsimor, duke përmendur arritjet që janë shënuar në këtë drejtim.

Mbledhja e sotme e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, përveç temave të lartcekura, pati edhe një pjesë të dytë, përkatësisht një ligjëratë nga profesori dhe njëherit eksperti i sigurisë, Agim Musliu i cili foli gjerësisht mbi fenomenin e radikalizmit dhe ekstremizmit që shpie në terrorizëm, modul ky në kuadër të projektit kombëtar me moton “Me demokraci pjesëmarrëse për një Kosovë pa radikalizim”


MË SHUME NGA Nacionale