Kreu i Rahovecit njofton për gjendjen në komunë pas shiut të madh

Kreu i Rahovecit njofton për gjendjen në komunë pas shiut të madh

Komuna e Rahovecit është një nga zonat më të prekura nga reshjet e shiut të pasdites së sotme. Uji ka marrë rrugët e këtij qyteti, derisa në rrezik kanë qenë vet qytetarët, të cilëve u është krijuar pasiguri.

Kryetari i kësaj komune Smajl Latifi, ka folur për Indeksonline, teksa ka thënë se reshje të tilla të shiut nuk ka pasur më herët, e që si pasojë ka bërë dëme, veçmas në ekonomitë familjare dhe bujqësore.

“Jemi në teren, gjendja është stabilizu momentalisht, por ka pasur reshje të paimagjinueshme nuk ka ndodhë ndonjëherë më parë kaq shumë, shi dhe me rrëmbim. Pasi që pozita e qytetit të Rahovecit është e tillë, lumi Dullo ka dalë nga shtrati, ndërsa tani është stabilizu.  Jemi mbledh dy ekipet, të zjarrfikësve dhe të mbrojtjes, jemi tu i rehabilitu rrugët që kanë bërë gurë e cunga. Ka bërë dëm edhe në amvisëri, ku ka hyr uji në disa familje, por disa zjarrfikës kanë vepru menjëherë”.

Latifi ka treguar se ai bashkë me ekipet emergjente janë duke monitoruar gjendjen në teren, ndërsa nesër pritet të formohet komisioni i vlerësimit për dëmet.

“Në këtë momente jemi tek Fortesa, pasi që ka pushu në Rahovec, por ka fillu uji të grumbullohet në rrafsh.  Nesër pritet të formohet komisioni i vlerësimit, pasi që dëmet më të mëdha janë në ekonomitë familjare, pak edhe në bujqësi. Ne kemi kompani që kanë kontratë, por edhe kompani vullnetare, të cilat po përdorin kapacitetet e tyre”.

Megjithatë i pari i Rahovecit ka shtuar se nuk e di a ka mundësi buxhetore të mjaftueshme komuna për t’i mbuluar shpenzimet e dëmeve të shkaktuara.


MË SHUME NGA Nacionale