Bizneset mund të përfitojnë deri në 6 milionë euro nga Fondi i Inovacionit

Bizneset mund të përfitojnë deri në 6 milionë euro nga Fondi i Inovacionit

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe GIZ-i gjerman, kanë lansuar të hënën edicionin e dytë të Fondit të Inovacionit, pjesë e Projektit CETEP i cili implementohet nga Innovation Centre Kosovo (ICK).

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka deklaruar se nëpërmjet këtij fondi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund përfitojnë deri në  50,000 euro.

“Në total do të jenë mbi gjashtë milionë euro, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për start-up,  për trajnime, pra gjithmonë për të rritur konkurentshmërinë tonë në tregun vendor dhe ndërkombëtar. Ne përherë të parë kemi bërë një test të bashkimit të fondit. Kemi bashkuar më GIZ-in gjerman 1 me 1. Synimi ynë ka qenë që fondet që i kemi publike të dyfishojmë”, tha ministri Beqaj sot në emisionin e mëngjesit "Mirëmëngjesi Kosovë", në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas tij këto fonde do të ndahen në bazë të standardeve të GIZ-it. “Afati do të jetë tre javë për aplikim, gjithçka do të jetë online. Këtë vit nuk do të ketë kufizime”, tha ai.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, bëri me dije se ky nuk do të jetë vetëm ky projekt që do të jetë së bashku me GIZ-in, por edhe projekte të tjera.

“Ne kemi fondin edhe për start-up. Ne do të mbështesim edhe tri sfera që synojmë t’i mbështesim këtë vit, ICT, Agroteknika dhe prodhimi. Këta janë bërë mbi bazën e vlerësimit të vitit të kaluar. Me këtë ne synojmë të rrisim prezentin ndërkombëtare”, tha ai.

Ndryshe, Fondi i Inovacionit, është bashkëfinancim i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarërsisë dhe GIZ-it, nëpërmjet Projektit CETEP i cili implementohet nga ICK-ja.

Autor: RTKlive