Policia franceze arreston ish-presidentin e UEFA-s, Platini

Policia franceze arreston ish-presidentin e UEFA-s, Platini

Ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini, është arrestuar nga policia franceze mëngjesin e të hënës në Nanterre në kuadër të hetimeve rreth dhënies së të drejtës së organizimit të Botërorit 2022 Katarit.

Sikurse njoftojnë mediet franceze, Platini është transportuar në zyrën e antikorrupsionit të policisë gjyqësore.

Katari e fitoi të drejtën për organizimin e Botërorit 2022 në vitin 2010, ndërsa ish-futbollisti i famshëm i Juventusit dhe Francez e ka mbajtur postin e presidentit të qeverisë europiane të futbollit në periudhën 2007-2015.

Vendimi përfundimtar për t’ia dhënë Katarit të drejtën e organizimit të Botërorit 2022 u mor nga ish-presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, por pas akuzave dhe hetimeve të zhvilluara si dhe arrestimeve për çështjen në fjalë, që tronditën botën e futbollit, krerët e dy institucioneve më të fuqishme të futbollit u detyruan të largoheshin nga postet e tyre.

Platini u përfshi indirekt në këtë skandal dhe u akuzua se ka marrë nga Blatter pagesa të jashtëligjshme të kamufluara “për konsulencë” në periudhën 1999-2002. Bëhet fjalë për rreth 2 milionë franga zvicërane. Për këtë shkak, francezi u pezullua 8 vite, që më pas u ul në 4 vite, duke u detyruar që të largohej nga UEFA në vitin 2015, për t’u zëvendësuar nga Ceferin.