‘Shqiptarët dhe kroatët kanë një armik të përbashkët: Serbinë’

‘Shqiptarët dhe kroatët kanë një armik të përbashkët: Serbinë’

Për nder të 20-vjetorit të çlirimit të komunës së Skenderajt, motoristët nga Kroacia kanë vizituar Kompleksin Memorial në Prekaz. Ata u shoqëruan edhe nga kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari dhe ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, teksa ka falënderuar motoristët për vizitën, tha se përmes kësaj vizite po tregohet respekti dhe bashkëpunimi në mes popullit shqiptar dhe kroat.

Ndërsa, presidenti i klubit të motoristëve nga Kroacia, Klek Dragoviq ka shprehur falënderim për shqiptarët, të cilët ishin pjesë e luftës në vendin e tij kundër serbëve.

Nga Kroacia për të vizituar Kompleksin Memorial në Prekaz kishte ardhur edhe motoristi, Ivica Pandza. Ai shprehu nderimin e tij për komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen e tij, ndërsa pati edhe një porosi për shqiptarët.

“Jam për herë të dytë këtu dhe si kroat jam i vetëdijshëm se ndodhem në një vend të shenjtë për popullin shqiptar. Ne jemi të vetëdijshëm dhe të sigurt se ndodhemi në vendin, që nëse shikohet në mënyrën kroate, kjo për ne do të ishte vendi ku është Franjo Tuxhman. Kjo do të thotë se ajo që Franjo Tuxhman është për kroatët, Adem Jashari është për shqiptarët. Ashtu si keni ju miq në popullin kroat, ashtu edhe kroatët dhe shqiptarët janë të lidhur me njëri-tjetrin, pasi kanë armikun e njëjtë, e këta janë ata që kryen këto krime, vranë këtë familje dhe duhet të përgjigjen për atë që kanë bërë këtu dhe të mos ndërrohet roli i viktimës dhe agresorit. Agresor mbi popullin shqiptar në Kosovë ishin ata që kanë ardhur nga Serbia dhe nuk e deshën lirinë, kurse Adem Jashari me familjen e tij realizoi lirinë. Të jini krenarë me këtë”, tha ai.

Veteranët motoristë nga Kroacia po ashtu kanë vizituar edhe kullat e Jasharajve, por edhe Muzeun ku janë njoftuar nga afër për historinë e familjes Jashari dhe luftën në Kosovë.


MË SHUME NGA Nacionale