Prokuroria kosovare dhe gjermane po bastisin disa qendra “Call Center”

Prokuroria kosovare dhe gjermane po bastisin disa qendra “Call Center”

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Prokurorinë Gjermane, janë duke u zhvilluar aksione të bastisjes në disa "Call center" në Prishtinë dhe Ferizaj.

“Prokuroria e Landit Saarland të Gjermanisë, ka filluar hetimet në drejtim të veprës penale "Mashtrim" të Kodit Penal gjerman, dhe aksioni është duke u zhvilluar në disa shtete të Evropës, pjesë e së cilës është edhe Kosova”, thuhet në njoftim.

Komunikata e plotë e Prokurorisë Speciale të Kosovës:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se në bazë të kërkesës për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare, Prokuroria Gjermane e Landit Saarland, bashkarisht me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, janë duke kryer bastisje në disa qendra të quajtura "Call center" në qytetin e Prishtinës dhe të  Ferizajt, me qëllim të zbulimit të fakteve dhe provave për vepra të mundshme penale.

Prokuroria e Landit Saarland të Gjermanisë, ka filluar hetimet në drejtim të veprës penale "Mashtrim" të Kodit Penal gjerman, dhe aksioni është duke u zhvilluar në disa shtete të Evropës, pjesë e së cilës është edhe Kosova.

Po ashtu, Prokuroria Speciale e Kosovës, njofton se nëse zbulohen faktet konkrete do të fillojë hetimet ndaj pronarëve të këtyre qendrave në territorin e Republikës së Kosovës, në drejtim të veprës penale "Shpëlarje parash".

Për detaje më të hollësishme do të njoftoheni pas përfundimit të operacionit gjatë ditëve në vijim.