Jashari: E kemi borxh që të bëjmë më të mirën e mundshme

Jashari: E kemi borxh që të bëjmë më të mirën e mundshme

Në 20 vjetorin e çlirimit së qytetit të Skenderajt, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se është fakt historik se dita e çlirimit të kombit tonë nuk ka filluar as me 12 dhe as 18 qershor, po nisur me UCK-në dhe komandantin legjendar, Adem Jashari.

Këto komente ai i bëri në koncertin festiv të organizuar nga Komuna e Skenderajt, i cili u mbajt sot në Sheshin "Adem Jashari" në Skenderaj.

Kryeparlamentari teksa i ka uruar skenderajasit për Ditën e Çlirimit, ku tha se duhet të punohet për një Kosovë të sigurt dhe që ofron jetë më të mirë për qytetarët e saj.

"Ne nuk duhet të kënaqemi me kaq, kemi arritur lirinë, kemi arritur shtetin, ne duhet të bëjmë edhe më shumë, ne mund të bëjmë dhe më shumë. Kjo është një arsye më shumë që edhe në këtë ditë të çlirimit, duke i kujtuar të gjithë ata të cilët kanë rënë në altarin e lirisë, të mendojmë edhe më shumë për përgjegjësitë që kemi si gjeneratë e lirisë si gjeneratë, e cila obligim ta qojë përpara amanetin e dëshmorëve të lirisë. Po në të njëjtën kohë, si gjeneratë që duhet t’u lë fëmijëve tanë trashëgimi një Kosovë, e cila është e sigurt, një Kosovë e pavarur e sovrane, Kosovë perëndimore, por mbi te gjitha një Kosovë ku jetohet më mirë", tha ai.

I pari i Komunës se Skenderajt, Bekim Jashari tha se kryefjala e historisë së lavdishme, e cila i vuri kurorë sakrificave shekullore, është Shaban, Adem e Hamëz Jashari, e shumë burra e gra të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai po ashtu tha se për lirinë e Kosovës kontribuuan edhe shumë shtete mike të Kosovë, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleanca e NATO-s që ndaluan spastrimin etnik.

Kryetari i Skenderajt u zotua se do vazhdojë të punojë për mirëqenien e secilës familje, në veçanti për të rinjtë që ata të gjejnë hapësirën, gjasat dhe mundësitë e barabarta, për të gëzuar gjithë të mirat që ofron liria, që ofron Skenderaj.

"Skenderaj ynë sot me krenari po vazhdon të zhvillojë jetën e re. Gjithsesi gjatë qeverisjes time, kam dhënë zotimin se do të bëj më të mirën e mundshme, e them edhe sot, me rastin e përvjetorit të 20 të çlirimit të Skenderajt. E kemi borxh para më të dashurve tanë, që na shohin nga lart, se si sillemi. E kemi borxh para fëmijëve tanë, që na shohin nga poshtë se si veprojmë. Kemi bërë aq sa ishte mundësia, jo sa ishte dëshira. Por ju e dini se nuk do të ndalem për të bërë më të mirën për Skenderajn tonë", tha ai.

I pranishëm në këtë koncert festiv ishte edhe kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, i cili tha se sot festojnë fal gjakut të dëshmorëve dhe ushtarëve të UÇK-së.

"Pa dëshmorët e kombit, pa ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne sot nuk do kishim festë sot kemi festën e çlirimit që e festojmë me gjakun e dëshmorëve të atyre që ranë për këtë ditë", tha ai.

Në këtë koncert u performuan këngë e valle shqiptare poezi të shumta, madje nga Meksika kishte ardhur për të interpretuar edhe një grup i valltarëve meksikanë.

Të pranishëm ishin edhe deputetët e PDK-së, Bekim Haxhiu dhe Andin Hoti.