Kossnet kërkon përkrahje për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin

Kossnet kërkon përkrahje për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin

Ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip Kossnet ka shprehur përkrahjen e tij për punën rreth formimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë.

Me një tweet, ai ka bërë të ditur se së bashku me bashkëshorten e tij, Alison, ka pritur sot anëtarët e Ekipit Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, si dhe është shprehur i impresionuar me punën e tyre.

Ambasadori Kossnet ka kërkuar gjithëpërfshirje, konsultime dhe përkrahje politike për punën e Ekipit Përgatitor.

Ndër iniciativat e presidentit Thaçi ka qenë edhe kjo iniciativë për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë. Ai kishte emëruar Ekipin Përgatitor që përbëhet nga përfaqësues të institucioneve qeveritare dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët janë të ngarkuar për ndërtimin e infrastrukturës ligjore e teknike për komisionin e ardhshëm.

“Alison dhe unë takuam Ekipin Përgatitor për atë që do të jetë Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin. U impresionova me progresin e arritur dhe shpresoj se ky projekt do t'i ndihmojë të gjitha komuniteteve në Kosovë që të merren me të kaluarën në mënyrë të përgjegjshme. Gjithëpërfshirja, konsultimet dhe përkrahja politike do të jenë vitale”, ka shkruar ambasadori Kossnet në Twitter.