Lajçak: BE-ja duhet ta mbajë premtimin për Maqedoninë e Veriut

Lajçak: BE-ja duhet ta mbajë premtimin për Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut arriti më larg se që mund të supozohej para disa viteve dhe tani është koha të shpërblehen angazhimet e shtetit.

Diskutimet për datën për negociata vazhdojnë ndërsa disa muaj nuk do të bëjnë dallim shumë të madh për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ky vit duhet ta sjellë suksesin e merituar për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet e vendit me Unionin.

Këtë e porositi shefi i diplomacisë sllovake, Mirosllav Lajçak dhe kryesues aktual i OSBE-së në intervistën ekskluzive për MIA-n, të cilën e dha një ditë para fillimit zyrtar të vizitës së tij në vend. Lajçak prej sot në rolin e kryesuesit të OSBE-së, por edhe të shefit të diplomacisë sllovake është në Shkup, ndërsa nesër ai do të ketë takim me funksionarë të lartë shtetërore, liderin e VMRO-DPMNE-së në opozitës dhe organizatat qytetare.

Lidhur me anulimin e datës, në vend të pritjeve të para këtë muaj, për këtë vjeshtë, Lajçak në një intervistë për MIA-n thotë se arritjet e para ca kohësh janë me të vërtetë të shkëlqyera, vendi ka arritur më larg se që kemi mundur ta imagjinojmë para disa vitesh.

“Qeveria aktuale meriton lëvdata. Arritjet në përforcimin e marrëdhënieve fqinjësore janë të pashembullta në rajon – falë Shkupit, Sofjes dhe Athinës. Dhe ky moment i krijuar duhet të shfrytëzohet për progres të mëtejmë. Sllovakia beson se është koha të shpërblehen përpjekjet tuaja dhe të dërgohet një sinjal pozitiv për popullin tuaj. Mosrealizimi i premtimeve tona do të kishte pasoja serioze”, thekson kryesuesi i OSBE-së dhe ministër sllovak i Punëve të Jashtme.

Ai shton se disa muaj nuk do të shkaktonin ndonjë ndryshim të madh për popullin e Maqedonisë së Veriut i cili priti shumë gjatë, por megjithatë beson fuqishëm se “ky vit duhet ta sjellë suksesin e merituar të hapjes së një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis vendit tuaj dhe BE-së.

Lajçak një ditë pas përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës me vlerësim se me atë rrethi magjik i miteve nacionaliste ishte shpërbërë me vullnet politik dhe guxim dhe me shpresë se do të shërbejë si inspirim për të tjerët në rajon dhe do të kontribuojë për pajtimin rajonal.

“Bashkimi Evropian tashmë ka ndërmarrë hapa për ringjalljen e procesit të zgjerimit dhe për përforcimin e besueshmërisë së perspektivës evropiane për rajonin. Sllovakia beson se është koha për të shpërblyer arritjet historike të Maqedonisë së Veriut, dhe në këtë mënyrë ky vend do të ofrojë frymëzim për rajonin më të gjerë, përfshirë Beogradin dhe Prishtinën. BE duhet të mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar për të përmbushur angazhimet e saj”, shton ai.

Lidhur me atë nëse vlerëson se gjashtë vendet e rajonit të cilat nuk janë anëtare të Unionit, duhet të integrohen në të sipas shembullit të Grupit të Vishegradit, anëtare e së cilit është edhe shteti i tij, gjegjësisht të gjitha vendet përnjëherë, Lajçak thekson se çdo rajon është i ndryshëm, me historinë e vet, sfidat dhe arritjet.

Secila nga vendet e Ballkanit Perëndimor, shton ai, duhet të përqendrohet plotësisht në realizimin e reformave ambicioze që nevojiten në rrugën e tyre evropiane. Ritmi i reformave do të ndikojë drejtpërsëdrejti në ritmin e integrimit në BE – kjo është e pashmangshme. Për atë nëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet në paketë të hapërojnë drejt Unionit thekson se ecja përpara në grup apo në tandem me një vend tjetër është e mirë dhe produktive, por thekson se duhet të mbizotërojë parimi i meritës individuale.

Për Misionin 27 vjeçar të OSBE-së në Shkup, arritjet e saj, punën e saj në procesin e stabilizimit dhe demokratizimit të vendit folëm me Lajçakun në intervistën për MIA-n. Midis tjerash ai u përqendrua edhe në punën e PPS-së, për të cilën para ca kohësh Misioni në Shkup e prezentoi raportin e dytë kalimtar. Ju bëri thirrje të gjitha partive politike të arrijnë marrëveshje për projekt ligjin për PP i cili do t’i kënaq pritjet e opinionit se korrupsioni do të ndëshkohet dhe se institucionet e drejtësisë do të vazhdojnë të përforcohen.

Z. Lajçak, sot po vizitoni Maqedoninë e Veriut. A mund të na tregoni arsyen e vizitës suaj, me kë planifikoni të takoheni dhe cili është mesazhi që planifikoni të dërgoni gjatë vizitës suaj në Shkup?

Vizita ime në Maqedoninë e Veriut është pjesë e angazhimit tim për të vizituar të gjitha zyrat në terren të OSBE-së. Unë jam këtu në Shkup kryesisht si Kryesues i OSBE-së për të mbështetur punën e Misionit, për të diskutuar mundësitë për rritjen e bashkëpunimit me autoritetet dhe për të shprehur mbështetjen e OSBE-së në këtë kohë të rëndësishme për vendin. Marrëveshja e Prespës është një arritje e rëndësishme dhe me të vërtetë një shembull i diplomacisë së suksesshme dhe të zgjidhjes së konflikteve. Për një kohë të gjatë dukej sikur çështja e emrit ishte e pazgjidhshme, por me një lidership, vizion dhe guxim të vërtetë, u gjet një zgjidhje. Dhe tashmë kjo ka përmirësuar sigurinë rajonale. Tani, vendi duhet të vazhdojë të përqendrohet në agjendën e reformave dhe të shfrytëzojë momentin pozitiv të arritur.

OSBE punon në përkrahjen e agjendës reformuese në Maqedoninë e Veriut, e cila ndihmon vendin të përmbushë më mirë angazhimet e OSBE-së dhe njëkohësisht të lëvizë më pranë përmbushjes së qëllimeve strategjike. Misioni i OSBE-së në Shkup është veçanërisht i vendosur për të ndihmuar në këtë drejtim, duke punuar në partneritet të fortë me qeverinë, partitë politike dhe grupet e shoqërisë civile.

Por unë jam këtu duke mbajtur dy pozita njëkohësisht. Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovakisë, duhet të them se marrëdhëniet bilaterale midis Sllovakisë dhe Maqedonisë së Veriut janë të shkëlqyera. Dhe Sllovakia është duke bërë të gjitha përpjekjet për mbështetjen tonë të fortë politike për Maqedoninë e Veriut nëpërmjet bashkëpunimit të konsiderueshëm në nivelin maksimal të mundshëm.

Gjatë vizitës sime në vend, do të takohem me presidentin Pendarovski, kryeministrin Zaev, zëvendëskryeministrin Osmani, ministrin e jashtëm Dimitrov dhe kryetarin e VMRO-DPMNE-së Mickoski. Do të kem gjithashtu mundësinë të drejtoj Konventën Kombëtare mbi BE-në, të dëgjoj nga shoqëria civile se si ata e shohin zhvillimin e vendit, si dhe do të takohem me stafin e Misionit të OSBE-së. Përveç kësaj, do të kem mundësi të takojë fëmijët dhe mësuesit që janë të përfshirë në projektin ‘Ndërtojmë ura’- një iniciativë kjo të cilën e konsideroj veçanërisht të rëndësishëm pasi ndihmon në kapërcimin e ndarjeve etnike dhe sociale. Gjithashtu do të takohem me njerëz të angazhuar në projekte për të rritur vetëdijen mjedisore nëpërmjet edukimit të financuar nga SlovakAid.

Vendi juaj është kryesuesi i radhës i OSBE-së. Misioni ka qenë aktiv në vend për më tepër se 25 vjet. Cilat aktivitete të OSBE-së do të identifikonit si më të suksesshëm për stabilizimin dhe demokratizimin e vendit tonë?

Misioni i OSBE-së në Shkup është me të vërtetë misioni më i vjetër i OSBE-së në terren. Dhe në 27 vitet e prezencës së tij në vend, roli i Misionit ka ndryshuar nga një prani e vogël monitoruese e dërguar fillimisht në vitin 1992, në një mision dukshëm më të madh që fillimisht ndihmoi vendin të rimëkëmbet nga konflikti i vitit 2001 dhe tani punon kryesisht për të mbështetur agjendën reformuese të Maqedonisë së Veriut.

Misioni është një partner i fuqishëm i Maqedonisë së Veriut në ndjekjen e reformave dhe në zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit për avancimin e marrëdhënieve ndëretnike. Misioni gjithashtu punon me autoritetet për adresimin e një sërë kërcënimesh transnacionale, me fokus në luftimin e krimit të organizuar dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Misioni është gjithashtu shumë aktiv në mbështetjen e reformave gjyqësore, që përfshin aktivitetet e monitorimit të rasteve gjyqësore, këshillat për përforcimin e legjislacionit, si dhe përmirësimin e kapacitetit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit gjyqësor.

OSBE është gjithashtu e angazhuar në Maqedoninë e Veriut nëpërmjet institucioneve të vet si ODIHR, i cili vërejti se zgjedhjet e fundit presidenciale ishin mirë të administruara, dhe ODIHR do të vazhdojë të mbështesë reformat në Kodin Zgjedhor. Përfaqësuesi për Lirinë e Medias, por dhe Komisionari i Lartë për Pakicat Kombëtare kanë qenë gjithashtu aktiv në vend përmes vizitave të nivelit të lartë dhe projekteve.

Misioni i OSBE-së në Shkup së fundmi prezantoi Raportin e dytë të përkohshëm mbi aktivitetet dhe rastet nën juridiksionin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Klemens Koja shprehu shqetësim lidhur me Ligjin për prokurorinë publike, i cili gjithashtu rregullon statusin e PSP-së. Bisedimet ndërmjet koalicionit qeverisës dhe opozitës po vazhdojnë lidhur me ligjin. Ambasadori Koja u bëri thirrje të gjitha palëve të arrijnë marrëveshje dhe të lejojnë PSP-në të vazhdojë punën pa ndonjë pengesë. Cili është mendimi juaj për punën e deritanishme të PSP-së, si dhe statusin e saj të ardhshëm dhe funksionimin?

Ne ndajmë vlerësimin e Ambasadorit Koja dhe jemi të shqetësuar për faktin se statusi institucional i PSP-së është ende i pazgjidhur dhe se projektligji për Prokurorinë Publike është i bllokuar për më shumë se katër muaj.

Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të arrijnë një marrëveshje mbi projekt-ligjin për Prokurorinë Publike që do të përmbushë pritjet e publikut se korrupsioni do të dënohet dhe se institucionet e drejtësisë do të vazhdojnë të përforcohen.

Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Seksioni i OSBE-së për Barazi Gjinore prezantuan një sondazh muajin e kaluar që tregoi se dhuna ndaj grave në Maqedoninë e Veriut shpesh mbetet shumë pak e raportuar, dhe se disa forma të dhunës fizike dhe seksuale janë shumë të përhapura. Ky ishte hulumtimi i parë i këtij lloji i zhvilluar në Evropën Juglindore dhe Evropën Lindore. Ai përfshin Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë, Moldavinë, Ukrainën dhe Kosovën. Sipas jush, cilat janë arsyet për këtë situatë në këto pjesë të Evropës?

Dhuna me bazë gjinore është problem i të drejtave të njeriut, por edhe një sfidë sigurie. Hulumtimet globale tregojnë se një në tre gra kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike ose emocionale gjatë jetës së tyre. Për të luftuar këtë dukuri, është përgjegjësia jonë t’u ndihmojmë vendeve të kuptojnë dhe adresojnë shkaqet rrënjësore që shpien në dhunën ndaj grave dhe vajzave.

Sondazhi i OSBE-së të cilit i referoheni, na siguron të dhëna të krahasueshme dhe i njëjti tregon qartë se stigmatizimi, dhe si rrjedhojë heshtja e viktimave, ka lejuar që rastet e dhunës kundër grave dhe vajzave të mbeten shumë pak të raportuara, si dhe të pa adresuara. Disa nga pengesat e raportimit, të identifikuar në këtë hulumtim janë turpi, frika, shqetësimet financiare, mungesa e informacionit mbi shërbimet në dispozicion, mosbesimi në shërbime, si dhe përkufizimi dhe kuptimi i pamjaftueshëm i asaj që saktësisht llogaritet si dhunë. Një sfidë tjetër e vërejtur është se ligjet nuk i mbrojnë gratë në mënyrë adekuate ose të njëjtat nuk zbatohen siç duhet. Për këtë arsye, nevojitet një qasje e tërë shoqërisë për të luftuar këtë sfidë.

Por këtu, më lejoni të përgëzoj qeverinë e Maqedonisë së Veriut për miratimin e Planit kombëtar të veprimit për zbatimin e Konventës së Stambollit. OSBE përmes Misionit të saj në Shkup është gati të ofrojë mbështetje.

Liria e medias është një nga fushat ku OSBE është shumë aktive. Në raportin e fundit të Freedom House vlerësimi i përgjithshëm është se liria e shtypit në mbarë botën ka rënë këtë vit. Maqedonia e Veriut është shënuar si një vend me media “pjesërisht të lirë”. Vlerësimi juaj i situatës lidhur me situatën e mediave në vend?

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit për Maqedoninë e Veriut këtë vit sugjeron që situata e mediave në Maqedoninë e Veriut është përmirësuar disi.Sidoqoftë, në vitin 2019 akoma ka pasur dy sulme ndaj gazetarëve, të cilat Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias i dënoi fuqimisht. Përderisa numri i sulmeve ndaj gazetarëve është zvogëluar, incidentet e këtij viti tregojnë se vendi ende duhet të zhvillojë mekanizma efikas për të siguruar një mjedis të sigurt pune për gazetarët. Dhe kjo është një nga fushat ku Misioni ynë në Shkup është i angazhuar në mënyrë aktive. Kjo nuk është një dukuri që ndodh vetëm në Maqedoninë e Veriut. Siç e dini, edhe vendi im është dashur të luftoj me të. Pra, është e rëndësishme që të punojmë së bashku dhe të ndajmë mësimet e nxjerra – të mbrojmë lirinë e medias dhe jetën e gazetarëve.

Gjuha e urrejtjes është e pashmangshme në këtë kontekst. Misioni i OSBE-së ka përkrahur Rrjetin për parandalimin e gjuhës së urrejtjes në media, përfshi shoqatat e gazetarëve, organizatat joqeveritare, institucionet. Sa ndihmojnë në të vërtetë aktivitetet e tilla në luftën kundër gjuhës së urrejtjes; si të trajtohet kjo dukuri?

Gjuha e urrejtjes është dukuri negative që paraqet kërcënim potencial për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe pajtimin politik. Maqedonia e Veriut akoma nuk grumbullon të dhëna adekuate dhe sistematike për incidentet e urrejtjes, por informatat e ofruara nga organizatat e shoqërisë civile megjithatë tregojnë se mostoleranca në baza etnike, politike dhe fetare paraqet sfidë të shumëfishtë për vendin.

Dhe sinqerisht, është një prirje vërtet brengosëse kur vërehet se ekziston një rritje e incidenteve të urrejtjes bazuar në përkatësinë politike para, gjatë dhe nganjëherë pas zgjedhjeve. Duhet bërë më shumë për të kundërshtuar këtë prirje. Dhe në këtë drejtim, Misioni i OSBE-së do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të zvogëluar numrin e incidenteve të urrejtjes.

Ju po vizitoni vendin në një periudhë shumë të rëndësishme kur ne presim një datë për negociata me BE. Pritshmëria më optimiste është se kjo do të ndodhë në qershor, ndoshta në korrik, apo më së voni këtë vjeshtë. Cili është mendimi juaj?

Vendimi lidhur me negociatat është me rëndësi strategjike për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për BE-në. Sllovakia beson se Ballkani Perëndimor është në zemër të Evropës dhe duhet të vendoset në Unionin tonë. Prandaj, sa më shpejt që negociatat e pranimit të jenë të hapura, aq më mirë për të gjithë. Rekomandimi i KE-së është i qartë në këtë drejtim. Shkupi ka shënuar përparim të madh dhe përtej.

Arritjet e fundit janë me të vërtetë të jashtëzakonshme, vendi ka bërë përparim më tepër sesa mund të imagjinonim disa vite më parë. Dhe, qeveria aktuale meriton lavdërim. Arritjet në përforcimin e marrëdhënieve fqinjësore janë të pashembullta në rajon – falë Shkupit, Sofjes dhe Athinës. Dhe ky moment i krijuar duhet të shfrytëzohet për progres të mëtejmë. Sllovakia beson se është koha të shpërblehen përpjekjet tuaja dhe të dërgohet një sinjal pozitiv për popullin tuaj. Mosrealizimi i premtimeve tona do të kishte pasoja serioze.

Por diskutimet ende nuk kanë mbaruar dhe unë mendoj që populli i Maqedonisë së Veriut tashmë ka pritur kaq shumë kohë dhe disa muaj nuk do të shkaktonin ndonjë ndryshim të madh; por besoj fuqishëm se ky vit duhet dhe do të prodhojë suksesin e merituar të hapjes së një kapitulli të ri të marrëdhënieve midis vendit tuaj dhe BE-së. Ky është edhe mesazhi që kam dërguar në Luksemburg.

Dy ditë më parë, më 17 qershor u shënua një vit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës. Vendi bëri një kompromis me Greqinë dhe zgjodhi një mosmarrëveshje gati tridhjetëvjeçare me një vend fqinj. A mendoni se mund të ketë pasoja të mundshme për marrëveshjen nëse nuk marrim një datë për negociata me BE?

 Marrëveshja e Prespës është një arritje historike, për të cilën dua të përgëzoj guximin dhe udhëheqjen e qeverisë, si dhe të përshëndes Parlamentin për ratifikimin dhe zbatimin e saj. Rrethi vicioz i miteve nacionaliste është thyer nga vullneti dhe guximi politik. Dhe unë shpresoj se Marrëveshja e Prespës do të shërbejë si një frymëzim për të tjerët në rajon dhe do të kontribuojë për pajtimin rajonal.

Unë besoj se marrëveshja ka vendosur një bazë të gjerë dhe të fortë për marrëdhëniet dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Ajo ka rihapur perspektivën evropiane të vendit dhe ishte baza për të marrë ftesën për NATO. Këto arritje janë të pakthyeshme dhe unë jam i bindur se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të investojë në të ardhmen e saj evropiane.

Në një intervistë për televizionin austriak ORF, ju e vlerësuat çështjen e Kosovës më të lehtë se mosmarrëveshja midis Shkupit dhe Athinës. Ju thoni: “Problemi i Kosovës nuk është aq i vështirë dhe mund të zgjidhet. Ky problem sigurisht që është më i lehtë sesa ndryshimi i emrit në rastin e Maqedonisë së Veriut.” A mendoni se BE do të humbasë besueshmërinë nëse nuk vlerëson hapat e Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim dhe se mund të de-motivojë pjesën tjetër të vendeve të Ballkanit të cilët ende duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet dypalëshe?

Bashkimi Evropian tashmë ka ndërmarrë hapa për ringjalljen e procesit të zgjerimit dhe për  përforcimin e besueshmërisë së perspektivës evropiane për rajonin. Sllovakia beson se është koha për të shpërblyer arritjet historike të Maqedonisë së Veriut, dhe në këtë mënyrë ky vend do të ofrojë frymëzim për rajonin më të gjerë, përfshi Beogradin dhe Prishtinën. BE duhet të mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar për të përmbushur angazhimet e saj.

Sllovakia është pjesë e Grupit të Vishegradit, që përfshin Poloninë, Hungarinë dhe Republikën Çeke. Ju u lidhët dhe ecët së bashku në BE. Të gjitha vendet hynë në të njëjtën datë – 1 maj 2004. Grupi i Vishegradit po i ndihmon shumë Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian, por si një njohës i mirë i rajonit, mendoni se gjashtë vendet jo-anëtare të BE-së në Ballkan duhet të pranohen nëpërmjet këtij shembulli?

Po, kemi hyrë në BE në të njëjtën kohë, por çdo rajon është i ndryshëm, me historinë, sfidat dhe arritjet e veta. Prandaj nuk mund ta krahasoni situatën në rajon me situatën e vendeve të Vishegradit  në fillim të këtij mijëvjeçari. Secila nga vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përqendrohet plotësisht në realizimin e reformave ambicioze që nevojiten në rrugën e tyre evropiane. Ritmi i reformave do të ndikojë drejtpërsëdrejti në ritmin e integrimit në BE – kjo është e pashmangshme. Dhe ne e dimë nga përvoja jonë se ky proces i transformimit ndonjëherë mund të jetë shumë i dhimbshëm. Duke parë situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor, fazat e ndryshme të suksesit të reformave sugjerojnë se do të ketë më shumë se një valë aderimi.

Trembëdhjetë vende anëtare të BE-së, të njohura si ‘Miq të zgjerimit’, një nismë e filluar nga Polonia, kanë përpiluar një qëndrim të përbashkët në mes të muajit maj duke kërkuar që Këshilli i BE-së në qershor të përmbushë premtimin e vet për rajonin dhe të caktojë një datë fillimi për negociatat në qershor me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Sa kanë arritur që këto trembëdhjetë shtete-anëtare të bindin ata që konsiderohen më skeptikë për procesin e zgjerimit?

“Miqtë e Zgjerimit” janë një grup shumë i dobishëm. Sllovakia merr pjesë rregullisht në mbledhjet e saj. Ajo shërben si një platformë për përkrahjen e zgjerimit dhe për  komunikimin e argumenteve në favor të tij për ata që nuk janë 100 për qind të bindur.

Më 11 qershor nënshkruam një deklaratë të përbashkët që u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve të BE-së që të ruajnë dhe të konsolidojnë vrullin pozitiv të arritur këtë vit duke hapur negociatat e pranimit me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Por vendet më skeptike duhet në fakt të binden nga situata në terren në secilin vend. Pra, për momentin, Maqedonia e Veriut duhet të tregojë se është një student i shkëlqyer.

Për të pranuar dhe mbështetur plotësisht argumentet për të ecur përpara, të gjithë liderët evropianë duhet të ndihen komod për justifikimin e vendimit të tyre për t’i dhënë dritë jeshile  negociatave për pranim para elektoratit të tyre. Dhe këtu roli i kandidatëve apo i vendeve negociuese është vendimtar. Sa më shumë përparim që bëni, aq më lehtë do të jetë për ‘Miqtë e zgjerimit’ dhe shtetet tjera anëtare të BE-së, të cilat kanë mendime të ngjashme për të ‘reklamuar’ rastin tuaj.

Para disa kohe keni vizituar Tiranën, ku keni deklaruar se dhuna në protestat e organizuara nga opozita është tashmë e mërzitshme dhe se po i dëmton ato. A mendoni se situata aktuale politike atje do të jetë pengesë që Shqipëria të marrë një datë për negociata?

Para së gjithash, unë nuk mendoj se e ‘mërzitshme’ është fjalë që mund të përdoret në kontekstin e protestave të dhunshme. Situata është e ndërlikuar. Protestat, si të tilla janë shenjë e një demokracie të pjekur dhe të të drejtave të qytetarëve tanë. Por, fakti që ata janë të dhunshëm dhe se deputetët hoqën dorë nga mandatet e tyre, sinqerisht, ka një ndikim negativ në opinionin publik në vendet skeptike dhe po ashtu vë në pikëpyetje gatishmërinë e Shqipërisë për të vepruar si anëtare e BE-së.

Megjithatë, unë jam i bindur se udhëheqja politike e Shqipërisë ka kapacitetet dhe përvojën për të trajtuar situatën duke u angazhuar për një dialog të sinqertë politik me të gjitha palët e interesuara për të diskutuar dallimet në Parlament dhe jo në rrugë.

Integrimi në BE do të ketë përfitime për të gjithë – në të dy anët e ndarjes politike. Pra, të gjithë subjektet politike duhet të kenë agjendën e integrimit në BE si një emërues të përbashkët. Edhe nëse nuk pajtohen me gjithçka tjetër, ky qëllim i përbashkët akoma mund të ofrojë një rrugë përpara.

Kjo në kontekst të faktit se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria shihen në pako për përcaktimin e datës për negociata. A është e drejtë që vendi ynë të ndërlidhet me një vend tjetër pasi ka bërë përpjekje për të zgjidhur çështjet bilaterale dhe reformat e zbatuara deri tani?

 ‘Parimi i regatit’ – që do të thotë se vendet do të bashkohen kur të kualifikohen, dhe jo në grupe – pasqyron një normë të drejtë dhe bazike për ndjekjen e ambicieve integruese të vendeve. Është e mirë dhe produktive të ecësh përpara në grup ose së bashku me një vend tjetër. Megjithatë, parimi i meritës individuale duhet të mbizotërojë. Sllovakia, ashtu si shumë vende të tjera të BE-së, beson se tani është koha për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që të nisë rrugën e negociatave. Ne kemi qenë të zëshëm për këtë gjatë Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së gjatë kësaj jave dhe do të vazhdojmë të avokojmë për ju në të ardhmen.

Një nga misionet e OSBE-së në vend është menaxhimi i kufijve. Vendi juaj ndihmon Maqedoninë e Veriut në sigurimin e kufirit jugor që nga kriza e emigrantëve në vitin 2015. Sipas vlerësimeve të fundit, e cila gjithashtu u deklarua së fundmi edhe nga ministri i brendshëm Oliver Spasovski, situata është e qëndrueshme dhe nuk priten probleme të reja me emigrantët. Vlerësimi juaj i Misionit të OSBE-së në këtë drejtim dhe lidhur me situatën e përgjithshme me emigrantët?

Migrimi është një realitet që prek çdo cep të globit – prandaj edhe bashkëpunimi dhe koordinimi shumëpalësh në këtë fushë është më se i nevojshëm.

Dhe, kur është fjala për migracionin, OSBE ka rolin e vet, i cili përfshin një mandat për të punuar në çështjen e lëvizjeve të mëdha të emigrantëve dhe refugjatëve. Dhe, kjo është një platformë rajonale unike – duke sjellë së bashku në një tryezë përfaqësuesit e vendeve të origjinës, tranzitit dhe të destinacionit.

Përderisa vendet e rajonit përshtaten me realitetin e ndryshimit nga migracioni, OSBE mund të jetë një partner i vlefshëm në këtë drejtim. Edhe pse situata është aktualisht e qëndrueshme, ne akoma ndjekim nga afër zhvillimet që ndërlidhen me migracionin përgjatë ‘Rrugës Ballkanike’. Ndërkohë, Misioni ynë është duke përkrahur në mënyrë aktive përpjekjet për përmirësimin e kapacitetit të vendit tuaj për menaxhimin e migracionit të parregullt./MIA