Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vjedhje pylli

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vjedhje pylli

I akuzuari për vjedhje të pyllit, Halil Dubova, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të së mërkurës që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Esat Ademi, i akuzuari ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet.

I akuzuari Dubova, deklaroi se nuk e ka vjedhur pyllin, por ka qenë duke i ruajtur bagëtitë, dhe gabimisht është shënuar nga rojtari i pyllit.

Në rrethana të tilla, gjykatësi i çështjes, Nexhat Aliu, njoftoi të akuzuarin se në afat prej 15 ditësh ka të drejtë të bëjë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.

Ndryshe, prokurori Ademi pas leximit të aktit akuzues bëri përmirësimin e gabimit teknik të dispozitivit të aktakuzës dhe atë në rreshtin e parë ku thuhet fshati Binqë, ndërsa sipas tij, duhet të jetë fshati Goshicë, si dhe rreshtin e dytë ku thuhet në vendin “Pusat” , siç ka thënë ai duhet t’i shtohet “Pusat e Thive”,  ndërsa pjesa tjetër  mbetet e pandryshuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 15 tetor 2018, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Halil Dubova akuzohet se më 2 maj 2018, rreth orës 17:00, në territorin e fshatit Goshicë, në vendin e quajtur “Pusat e Thive”, me qëllim të vjedhjes me sharrë motorike i ka prerë 24 trungje bungu dhe shkoze me diametër në cung 16-18 cm, në lartësi të drurit 17 cm, me vëllim të përgjithshëm prej 4,08 m3.

Sipas aktakuzës në këtë mënyrë të dëmtuarës Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK), i ka shkaktuar dëm material në shumë prej 551 euro.

Me këtë, Aliu po akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi