Një muaj paraburgim për detyrim dhe fajde

Një muaj paraburgim për detyrim dhe fajde

Është caktuar masa e paraburgimit kundër të pandehurit Z.J.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.J. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Detyrimi dhe Fajde.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit Z.J. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Z.J. në periudhën 2014-2015 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, me kanosje serioze kishte kërkuar nga i dëmtuari F.D të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij duke i imponuar një borxh që nuk kishte egzistuar. I pandehuri Z.J. kishte shtuar presionin lidhur me borxhin dhe nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes verbale me të dëmtuarin F.D. për t’i huazuar para për të paguar ratën e fundit të shtëpisë që i dëmtuari kishte blerë. I pandehuri Z.J. i kishte kërkuar shumë të madhe të hollash të dëmtuarit F.D. me kamatë mujore 1 përqind, duke i transferuar këto të holla në llogarinë e B.P., me ç’rast shtëpia e blerë nga i dëmtuari kishte kaluar në emër të Z.J. Me këto veprime inkriminuese ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale që i vihen në barrë”, thuhet në komunikatë.

Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit kundër të pandehurit është i domosdoshëm për zhvillimin e procedurës penale pa pengesë si dhe për parandalimin e kryerjes së veprave penale dhe sigurimin e prezencën së të pandehurit në procedurë.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.