Dështon gjykimi për kanosje e sulm ndaj deputetit Adem Hoxha

Dështon gjykimi për kanosje e sulm ndaj deputetit Adem Hoxha

Në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, të mërkurën, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha, njëherësh kryetar i Partisë së Bashkuar Gorane (JGP), akuzohet për dy vepra penale, atë të sulmit dhe të kanosjes.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance, ka qenë mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Hoxha, avokatit Hajrip Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i çështjes Luan Berisha, ka deklaruar se avokati Krasniqi, e ka arsyetuar mungesën e tij, me anë të një parashtrese që ka dërguar në gjykatë, më 17 qershor 2019, e në të cilën ai ka konstatuar se nuk mund të jetë i pranishëm në seancën e së mërkurës, për shkak se do ta përfaqësojë Oden e Avokateve të Kosovës, në një takim jashtë vendit.

Në parashtresë thuhet se ai është konsultuar me të mbrojturin e tij, të akuzuarin Hoxha dhe ata janë pajtuar bashkërisht që të kërkojnë që seanca e së mërkurës të shtyhet për një ditë tjetër.

I akuzuari Hoxha, që ka qenë i pranishëm në seancë, ka thënë se ai nuk dëshiron që të vazhdojë seanca, pas praninë e mbrojtësit të tij,

Kërkesën e të pandehurit dhe avokatit të tij, nuk e ka kundërshtuar prokurori Milot Krasniqi, pasi që siç ka thënë ai, vullneti i të akuzuarit për të pasur mbrojtës, duhet të respektohet.

Por, me shtyrjen e seancës, nuk janë pajtuar dy të dëmtuarit Fatir dhe Berzat Berzati, të cilët kanë kërkuar që kjo seancë të mbahet edhe pa praninë e mbrojtësit të të akuzuarit Hoxha.

I dëmtuari Berzat Berzati, ka thënë se është i pakënaqur me rastet e shtyrjeve të seancave dhe siç ka thënë, neglizhencave sa i përket trajtimit të kësaj lënde.

Gjykatësi Berisha, ka deklaruar se ai këtë lëndë e ka marrë që nga shkurti i këtij viti dhe se nuk është faji i tij që seanca po shtyhet, pasi siç ka thënë, ai është i obliguar të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke thënë se kërkesa e të akuzuarit në këtë rast, duhet të respektohet.

Në seancën e së mërkurës, kanë qenë të pranishëm edhe dëshmitarët Selman Osmani, Abdulah Haliloviq, Enes Sherifi, Nijazi dhe Berzat Shar si dhe Erzan Ali.

Seanca e radhës për këtë çështjes është shtyrë më 30 korrik 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt 2018 nga Prokurori Themelore në Prizren, Adem Hoxha akuzohet se më 26 nëntor 2017, në selinë e Partisë së Bashkuar Gorane (JPG), në Dragash, me dashje përdor forcë ndaj personit tjetër, pa pëlqimin e atij personi.

Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë, që derisa të dëmtuarit Berzat Berzati dhe Fatir Berzati, kishin shkuar në selinë e partisë, ku fillimisht e kishin përshëndetur kryetarin e partisë, tani të pandehurin Adem Hoxha, ku ky i fundit i është drejtuar me fjalët “ti nuk meriton të më përshëndetësh mua”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë bisedës i pandehuri Adem Hoxha është ngritur nga ulësja dhe i është drejtuar tashmë të dëmtuarit Berzat Berzati “ti del në rrugë, sepse nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejt të qëndrosh aty”.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Berzati duke dal jashtë, goditet me shqelma mbrapa nga i pandehuri dhe më pas ai e godet me grushte dhe shuplaka në fytyrë edhe të dëmtuarin Fatir Berzati.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale të sulmit, nga neni 187 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.

Bazuar në aktakuzë, me datën, kohën dhe vendin e përshkruar si më lartë, i pandehuri Hoxha, seriozisht i kanos të dëmtuarit Fatir dhe Berzat Berzati, me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe.

Sipas aktakuzës, kanosja bëhet në atë mënyrë që u drejtohet me fjalët “ty dhe vëllain tënd kam me ju zhduk, ju keni me qenë shembull për të tjerët, familja ime është e rrezikshme” dhe kishte vazhduar me tutje me fjalët “ti dhe vëllau yt do ta mbani në mend se kush është Adem Hoxha, he ja u q***n***, r*** ”, gjë që, sipas prokurorisë, tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë.

Më këtë, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale të kanosjes, nga neni 185 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi